IPK rekomandoi suspendimin për gjashtë zyrtarë policorë
Foto: RTKlive
Kosovë

IPK rekomandoi suspendimin për gjashtë zyrtarë policorë

J.Musliu/RTKlive

Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve ka pranuar një ankesë nga një qytetar i cili ankohej për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga disa zyrtarë policorë në Ferizaj.

Ngjarja është raportuar të ketë ndodhur të enjten në orët e hershme të mëngjesit, kur qytetari ishte ndaluar nga policia fillimisht si i dyshuar për prishje të rendit dhe qetësisë publike.

“Rasti është regjistruar në IPK dhe hetuesit janë angazhuar duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore”, deklaron IPK-ja në një komunikatë për media.

“Përderisa hetimi është duke vazhduar ndaj 6 zyrtarëve policorë, IPK ka bazuar në autorizimet ligjore i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tyre”.

IPK deklaron se në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës, pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti.


MË SHUME NGA Kosovë