Presidentja viziton komunat e përmbytura, kërkon solidaritet|Foto
Foto: Presidenca e Kosovës
Kosovë

Presidentja viziton komunat e përmbytura, kërkon solidaritet|Foto

J.Musliu/RTKlive

Pas përmbytjeve në disa komuna të vendit, të shkaktuara nga reshjet intensive të shiut, presidentja Vjosa Osmani ka vizituar komunat Klinë, Skënderaj dhe Mitrovicë. 

Në takim me kryetarët Zenun Elezaj, Fadil Nura dhe Bedri Hamza, presidentja Osmani ka theksuar se që nga mbrëmë, ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me institucionet e sigurisë.

Presidentja në këtë kontekst ka vlerësuar angazhimin e strukturave komunale dhe institucioneve emergjente për të ndihmuar qytetarët dhe për t'i minimizuar dëmet në ekonomi familjare. 

Siç shkruan në komunikatën dërguar mediave, presidentja Osmani ka theksuar se institucionet qendrore do të angazhohen maksimalisht për t'i mbështetur komunat e prekura nga vërshimet.

Presidentja Osmani ka vizituar biznese dhe ekonomi familjare, të cilat kanë pësuar nga vërshimet.

“Në këtë frymë, presidentja ka kërkuar nga strukturat e sigurisë dhe të emergjencave, të angazhohen maksimalisht për t`u dalë në ndihmë qytetarëve dhe për t`i zvogëluar pasojat e krijuara nga kjo situatë e jashtëzakonshme”.

"Falënderoj Forcën Sigurisë së Kosovës, Policinë e Kosovës, Zjarrfikësit, autoritetet komunale dhe të gjithë ata, të cilët ndodhen në terren në zonat më të rrezikuara, në gatishmëri të plotë për t`u ofruar ndihmë qytetarëve dhe për ta mbrojtur secilën jetë", është shprehur presidentja Osmani.

Presidentja Osmani në të tri komunat ka ofruar mbështetjen institucionale dhe ka potencuar se jeta, shëndeti dhe pronat e qytetarëve, janë prioritet absolut, ndaj nevojitet angazhim dhe solidaritet i të gjithëve në një situatë të tillë. 

 


MË SHUME NGA Kosovë