Skenderaj i shkatërruar nga vërshimet |Video
Foto: RTKlive
Kosovë

Skenderaj i shkatërruar nga vërshimet |Video

Visar Shatrolli/RTK

Drenica, nga vërshimet e fundit mbetet një nga komunat më të dëmtuara. Uji i cili doli nga shtrati i lumit Drenica, shkatërroi shtëpi, biznese e shumë vetura të qytetarëve. Drenicasit po e kërkojnë dorën e shtetit që t`u dalë në ndihmë, pasi për dëmet e shkaktuara thonë se janë milionëshe.

Thirrjes për ndihmë për kompensim iu bashkua edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi e kryetari i Skenderajt, Fadil Nura.

Në Komunën  e Skenderajt ndonëse të reshurat janë ndalur, dëmet që ato kanë lënë pas vetës janë të mëdha. Vetura të përmbytura, objekte afariste e shtëpi të mbushura me ujë.

Lumi Klina nga ajo që shihet shkaktoi dëme të paparashikuara më parë.

Veturat të cilat ishin të parkuara në qendër, nuk patën mundësi të largohen. Shumë prej tyre u përmbyten. Kjo bëri që ato të mos funksionojnë. Mobilizimi qytetar për njëri-tjetrin ishte i lartë.

" Jem duke ju ndihmuar njerëzve ju kanë mbetur kerret në ujë tash jemi dalë nga  dalë qysh mundemi me i heq  me çka ka mundësi", Valon Balaj Skenderaj.

Derisa niveli i ujit të mos bjerë veturën e tij nuk ka mundësi ta tërheqë.

" Vetura ka qenë lartë atje edhe ka ardhur këtu brenda 5 minutave. nuk kam arritur ta nxirri hala nga aty “, tha Ibrahim Rexhepi Skenderaj.

E secili para derës së biznesit të tij pastron e largon rrëmujën e shkaktuar nga uji.

"Prej dy anëve na kanë shti në rreth edhe ma s’kemi pasur as kah të dalim nëpër ujë kemi lëvizur", tha Izet Sylanaj Skenderaj.

Pak metra më tutje në stacionin e autobusëve pronari i një veture tjetër e shikon dëmin. Thotë se nuk mbahet mend të ketë ndodhur një situatë e tillë.

Po ashtu infrastruktura rrugore ishte dëmtuar e energjia elektrike ishte ndalur. Megjithatë, aty ku fuqia njerëzore nuk kryen punë, përdoret makineria e rëndë.

E lumi Klina të enjten ishte rrëmbyer i tëri. Madje fshatin Tushilë e kishte pushtuar fort.

Uji i madh kishte dëmtuar edhe shtëpi banimi. Komplet kati i pari i shtëpisë së Jetullah Imerit ishte shembur.

Në këtë fshat nuk shpëtuan veturat e as bagëtitë. Disa prej këtyre të fundit ngordhën.

Për t’i parë nga afër pasojat e të reshurave, Skenderajn e vizitoi edhe i pari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Edhe kryetari i komunës Fadil Nura, ka kërkuar dorën e shtetit për kompensimin e dëmeve.

"10 komisione i kemi në terren për me dhënë një mendim përfundimtar ndoshta  na duhet sot nesër por .. shpresoj që autoritet qendrore ta kenë parasysh sepse e kanë edhe obligim ligjor", tha Nura.

Ndërkohë, Ministria e Arsimit njoftoi se për shkak të reshjeve të mëdha në vendin tonë, të cilat kanë sjellë vërshime në disa komuna, është pamundësuar mbajtja e procesit mësimor në disa shkolla, në mesin e tyre edhe në Skenderaj.

Dalja nga shtrati i lumit "Klina" ka shkaktuar dëme të mëdha, thonë banorët dhe zyrtarët komunalë.


MË SHUME NGA Kosovë