Hulumtim: Keqpërdorin licencat, inspektorati iu revokon
Foto: RTKlive
Kosovë

Hulumtim: Keqpërdorin licencat, inspektorati iu revokon

Alban Selimi / RTK  

Inspektorati i Agjencisë së Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore (AKMRrSB) i ka revokuar licencën e ekspertit për mbrojtje nga rrezatimi Sehad Kadirit, pasi me një kod të tij 008/18 ka operuar ilegalisht Ibrahim Gashi. Këtij të fundit po ashtu i është ndaluar veprimtaria e matjeve të rrezatimit si dhe kompanisë Euro Steel në Pejë i është kërkuar që të ndërpresë bashkëpunimin me personat në fjalë.

Ka disa muaj që inspektori i vetëm i Agjencisë për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore (AKMRrSB) Fadil Hasani ka dhënë dorëheqje.

Disa javë para se të bëjë një veprim të tillë ai ka gjetur një mori keqpërdorimesh me licenca të cilët lëshohen nga Agjencia për Mbrojtje nga Rrezatimi për ekspertët që kanë të drejtë të bëjnë ekspertiza për bizneset që punojnë me rreze X.

Një mori dosjesh të siguruara në AKMRrSB  përmes kërkesës për qasje në dokumente zyrtare konfirmojnë këto shkelje.

Nga raportet e inspektimit të protokoluara më 22 korrik 2022 me numër protokoli 209, ai i datës 05 shtator 2022 me numër protokoli 246 dhe raporti i datës 09 shtator 2022 me numër protokoli 255 pas një inspektimi që është bërë në kompaninë “Euro Steel” SHPK në Pejë dalin në shesh keqpërdorime konkrete të kodeve të licencave nga ana e ekspertëve për mbrojtje nga rrezatimi.

Gashi operoi me licencën që i takonte Kadirit

Matjet e radioaktivitetit, sipas raporteve të Inspektoratit del se janë bërë nga kompania Radium ING, respektivisht nga Ibrahim Gashi, i cili për këto matje ka përdorur kodin 008/18.

Por, Gashi nuk ka pasur kurrë licencë për të bërë ekspertiza të tilla derisa kodi i licencës që ai e ka përdorur i ka takuar një eksperti tjetër që kishte njohje nga Agjencia, z. Sehad Kadirit.

Emisioni “Udhëve” në RTK një javë më parë ka raportuar qysh Kadiri ishte njëri nga ekspertët që kishte kontraktuar më së shumëti ekspertiza si dhe palët ishin ankuar se i njejti po shfrytëzonte Institutin e Mjekësisë së Punës (IMP) në Obiliq ku ishte shef i dozimetrisë për të kushtëzuar palët që të njejtit ta kontraktonin atë me kompaninë e tij private për t’iu kryer ekspertizat e që ishin një kusht i domosdoshëm për t’u licencuar në AKMRRSB. Kadiri pos këtyre angazhimeve punon edhe në QKUK.

Por, a ishte kontraktimi i numrit të madh të ekspertizave, arsye që Kadiri t’i delegonte punët e tija personave të tretë që nuk kishin njohje nga AKMRRSB?!

 “Në vazhdën e inspektimit të rregullt, kemi gjetur shkeljen ligjore të cilën e kemi konstatuar në raport dhe kemi vepruar sipas Ligjit, duke kërkuar masat që sigurisht se i keni lexuar në atë raport”, ka thënë për emisionin Udhëve, inspektori i dorëhequr Fadil Hasani.

Në raportin e Inspektoratit, me numër protokoli 257 të datës 09 shtator 2022 janë paraqitur edhe urdhëresat ligjore që Hasani ka shqiptuar ndaj shkelësve të pretenduar të ligjit.

Me këtë rast, Hasani në raportin që i ka dorëzuar u.d. drejtoreshës së AKMRrSB, Besa Curri Limani ka urdhëruar që t’i ndalohet praktika e matjeve të rrezatimit Ibrahim Gashit, pronar i kompanisë Radium IG; kurse Seah Kadirit, eskpert i njohur nga Agjencia e Rrezatimit i anulohet njohja e përhershme e veprimit të praktikës si ekspert për mbrojtje nga rrezatimi jonizues me numër 08/2020 si dhe urdhërohet ndërmarrja “Euro Steel” që të ndërpresë bashkëpunimin me personat në fjalë.

 “Të gjitha të dhënat e kërkuara i keni në raportin e Inspektoriatit të Agjensisë për Mbrotje nga Rrezatimi”, thuhet në përgjigjen me shkrim të kompanisë Euro Steel, të cilët nuk kanë pranuar të komentojnë tutje të gjeturat.

Kadiri: Nuk kam asnjë njoftim nga Inspektorati

Sehad Kadiri, të cilit i është revokuar licenca nga me urdhër të inspektoratit thotë se asgjë nuk i është komunikuar zyrtarisht.

Kurse, u.d. drejtoresha Besa Curri Limani ka thënë se menjëherë pas marrjes së raportit kanë filluar me marrjen e masave ligjore në lidhje me këtë rast.

Redaksia e emisionit Udhëve ka kontaktuar edhe me Ibrahim Gashin, fizikant i cili ka përdorur kodin 008/18 që i ka takuar ekspertit të njohur nga Agjencia e Rrezatimit, Sehad Kadirit.

“Unë nuk jam pjesë e grupit për të cilin ju pretendoni se ka kryer veprime jo ligjore. Jam fizikant i diplomuar, punën e kam filluar në Institutin e Punës në Obiliq në cilësinë e dozimetrit (gjurmimeve të reja jonizuese dhe matje të mbetjeve metalike”, thotë në një përgjigje me shkrim Gashi, sipas të cilit Kadiri e kishte kontaktuar atë në vitin 2017 për t’i treguar se ka kërkesë në Terminalin Doganor në Pejë për një fizikant i cili do të bëjë matjet sipas ligjit.

Gashi: Për çdo matje e kam konsultuar prof Sehad Kadirin

“Çdo matje e kemi konultuar me Prof. Sehad Kadirin. Çdo dokument deri në vitin 2019 është lëshuar në bashkëpunim më Sead Kadirin dhe Institutin e Punës në Obiliq”, thotë Gashi.

Ai thotë se ka kërkuar të licencohet nga Agjencia por këta të fundit nuk ia kanë mundësuar një gjë të tillë.
“Për punën time profesionale mbaj përgjegjësi, ndërsa sa i përket individëve të caktuar në lidhje më aferat e tyre nuk jam competent”, thotë Gashi në një përgjigje me shkrim ku nuk tregon se pse e ka përdorur Kodin e Kadirit dhe nëse këtë e kanë bërë me marrëveshje.

Në anën tjetër, Kadiri, thotë se kodi që është përdorur nga ana e z. Gashi nuk është valid që nga data 06.11.2019.

Ai madje pretendon se edhe nëse do të përdorej qëllimshëm kodi nga ana e Gashit, kjo nuk ka qenë e ndaluar pasi nuk është përshkruar ndalesa në një klauzolë kur ishte licencuar në vitin 2018.

“Realisht nuk specifikon absolutisht qartë, sikurse në tjetrën që është lëshu në vitin 2020, që ka një klauzulë që ndalon transferin e të drejtës ose bartjes së përgjegjësive që rrjedhin nga ana e licences”, thotë Kadiri.

Rrustemaj: Tjetërsimi i licencës paraqet shkelje ligjore

Por, Argjent Rrustemaj zyrtar për licenca në AKMRRSB thotë se në asnjë rrethanë askush nuk ka të drejtë të përdorë një kod që i takon një personi tjetër. Kjo sipas tij paraqet shkelje ligjore.

“Fillimisht kur janë plotësu kriteret për t’u njoftë si ekspert, çdo ekspert e ka marrë një numër rendor, iu ka caktu, si rasti konkret. Edhe te njohjet e para nuk është cekë, por kjo nuk do të thotë se u leju m’u transferu njohja ndërsa tek rilicencimiështë shtu si pikë se kjo njohje nuk mund të tjetërsohet”.

Shtimi i klauzolës sipas Rrustemajt është vetëm masë preventive që të parandalojë keqpërdorimet. “Edhe në njohjet e para nuk është leju, siç nuk lejohet dokumentet tjera personale m’i përdorë dikush tjetër”.

 Në anën tjetër Kadiri po ashtu ankohet se ai nuk është intervistuar asnjëherë në lidhje me të gjeturat e inspektoratit. Krejt situatën ai thotë ta ketë kuptuar nga një zyrtar i Agjencisë kur është paraqitur për të marrë  një autorizim për ekspertizë.

“Kam qenë në agjenci për të dorëzuar dy kërkesa për të cilat kam bërë kontratat me subjektet përkatëse. Zyrtari përgjegjës më njofton, thotë ka një çështje që duhet të diskutojmë me juve, sepse ne brenda agjencisë kemi diskutu mos me t’u përgjigjë në kërkesa në autorizime sepse z. Hasani sa ka qenë inspektor iu ka revokuar licencën për shkelje të ligjit. Ky ligj kërkon që të konstatohet në radhë të parë nga inspektori dëmi që është shkaktu, e në fakt nuk kemi asnjë raport në lidhje me këtë”, thotë Kadiri.

Por, ish inspektori Hasani thotë se kur matjet kryhen nga një person që nuk është i licencuar nga Agjencia, dëmet në shëndetin e tij por edhe rrethit janë evidente.

“Në këtë rast, matjet janë kryer nga një person që nuk ka njohje në Agjenci”, thotë Hasani.

Gashi mori pjesë në trajnime me kodin e ish kolegut të tij

Ndërkohë në dokumentet e siguruara nga emisioni Udhëve, figuron se z. Ibrahim Gashi ka aplikuar për licencë në AKMRRSB. Por ai nuk është pajisur kurrë me një licence të tillë. Madje, ai aplikimin për licencë e ka bërë edhe në muajin gusht 2022, kur ishte konstatuar tashmë shkelja nga ana e inspektoratit. Aplikimit ai i ka bashkëngjitur edhe një deklaratë e ku thotë se nga viti 2017 deri më 2019 ka përdorur kodin e Kadirit 008/2019, të cilin kod licence ai deklaron se e ka përdorur edhe në trajnime të ndryshme.

“Gjatë kësaj periudhe disa herë kam qenë në seminare dhe trajnime pranë drejtorisë për rrezatim, shërbimi i mbrojtjes nga rrezatimi, sipas licencës bazuar në njohjen RPE – 008/18 të lëshuar nga AKMRRSB”, thotë në deklaratën e tij Ibrahim Gashi.

“Nëse konstatohen të gjitha shkeljet dhe gjitha këto deklarata, do ta denoncoj dhe do ta çojmë deri në fund këtë proces, nuk duam që të lëmë hapësirë për t’u ndotur emri dhe prestigji jonë përball keqpërdorimeve të mundshme”, i është përgjigjur Kadiri kësaj deklarate të Gashit.

Ai thotë se janë dy deklarata kontradiktore që janë nënshkruar nga i njejti person dhe “po më çuditë fakti se ai, thotë se duke ndjerë obligim moral, me vetëdije të plotë dhe pa asnjë presion me z. Sead Kadiri nuk kemi pasur asnjëlloj kontrate të nënshkruar për të bartur përgjegjësi apo për t’u angazhuar në punët e kontrollit të mauneve për eksport të skrap metaleve”.  

Ankesa për “inspektime tendencioze”

Pasi i kanë hequr licencën, Kadiri ka ankesa se edhe inspektimi që është bërë në lidhje me të ka qenë tendencioz.

“Kjo shihet qartë është tendencioze, drejtpërdrejt nga ana e tij (inspektorit Fadil Hasani v.j.) sepse i njejti e sheh konkurrencën në tregun që ka synu. Ai ka regjistru kompani që mund t’ua ilustroj”, thotë Kadiri.

Ai shprehet se inspektori Hasani vetëm dy javë pasi ka dalë nga agjencia ka hapur një kompani me veprimtari identike me atë që e ka edhe Kadiri.

Hasani konfirmon se ka hapur një kompani pasi ka lënë punën si inspektor. Por, thotë se para se ta hapë një kompani të tillë ka marrë përgjigje nga Agjencia Kundër Korrupsionit se nuk ka asnjë pengesë për këtë ndërkaq rreth deklaratave se ka ndërmarrë veprime tendencioze, thotë se këto janë vetëm spekulime të Kadirit.

“Të gjeturat i takojnë muajve korrik/gusht 2022 dhe dorëheqjen e kam ofruar në muajin shtator pikërisht një muaj para se të fillojë viti akademik. Pra, unë paralajmërova largimin tim dhe u largova në fund të shtatorit derisa në fillim të tetorit fillova angazhimin tim si profesor i rregullt universitar. Por, si thoni Ju, sa kam qenë inspektor edhe nësë paskam pasur qëllime çfarë pala paska pretenduar, a është dashur që t’i mbyllë sytë karshi kësaj shkeljeje të rëndë ligjore?”, thotë Hasani.  Kadiri mori autorizime edhe pasi u urdhërua revokimi i licencës së tij

Ndërkaq u.d. drejtoresha e AKMRrSB, Besa Curri Limani thotë se inspektori Hasani në këtë rast ka urdhëruar ndërmarrjen që të ndërpresë bashkëpunimin me personat në fjalë mirpëo nuk e ka njoftuar edhe ekspertin për vendimin dhe ka kërkuar interpretim tek zyra ligjore e Kryeministrisë.

“Dhe kjo ka ndodhë derisa kemi qenë në pritje nga zyra ligjore”, thotë Curri Limani.

E Zyra Ligjore e Kryeministrit i është përgjigjur AKMRRSB tek më datën 13 dhjetor 2022 në lidhje me urdhëresat dhe veprimet që janë ndërmarrë.

“Konsiderojmë se e rëndësishme të ceket është edhe ajo që është diskutuar në takimin e mbajtur me datë 23.11.2022, lidhur me atë Agjencia ka vazhduar me dhënien e autorizimeve ekspertit, përkatësisht personit, pavarësisht asaj se të njëjtit i është anuluar njohja e përhershme e veprimit të praktikës si ekspert për mbrojtje nga rrezatimi jonizues me Nr.EMRr-08/2020, dhe me sa kemi kuptuar, kjo ishte çështja problematike. Lidhur me këtë konsiderojmë që nuk do të duhej të vazhdohej tutje, rrjedhimisht Agjencia porsa ka pranuar Raportin e  lartpërmendur të inspektorit është dashur dhe duhet të veproj sipas Raportit të inspektorit”, thuhet në përgjigjen e Violeta Cakolli Statovci, Zyrtare e Lartë Ligjore në Zyrën e Kryeministrit.

Zyra ligjore e kryeministrit po ashtu ka rekomanduar AKMRRSB që përderisa nuk është ndjekur asnjë procedurë ligjore respektivisht nuk është parashtruar ankesë ndaj Raportit në fjalë, i njëjti duhet të zbatohet.


MË SHUME NGA Kosovë