Kryeministri Kurti vizitoi Skenderajn dhe Mitrovicën
Kosovë

Kryeministri Kurti vizitoi Skenderajn dhe Mitrovicën

RTKlive

Llausha e Skënderajt ishte destinaconi i parë i kryeministrit Albin Kurti. I shoqëruar nga ministrat Armend Mehaj e Elbert Krasniqi

Përveç dëmeve në ekonomi familjare, në këtë vend llogaritet të ketë dëme edhe në infrastrukturë publike ku në disa zona bëhet e ditur se është vështirësuar qarkullimi dhe furnizimet.

Kryetari i komunës Fadil Nura theksoi se dëme të konsiderueshme u shkaktuan edhe në një fermë të pulave. Andaj ai konsideroi se në këtë gjendje çfare ndodhet Skënderaj ka nevojë më shumë se kurrë për përkrahje nga niveli qendror.

Pas Skënderaj, Kurti qëndroi edhe në komunën e Mitrovicës ku u prit nga kryetari Bedri Hamza. Aty u njoftua me situatën emergjente të krijuar në qytetin e Mitrovicës, pas vërshimeve dhe përmbytjeve që kapluan qytetin. Hamza theksoi se me tërë kapacitetet komunale janë duke iu përgjigjur situatës emergjente në terren. Sipas tij, komuna tani është në fazën e evidentimit dhe vlerësimit të dëmeve, ku si rrjedhojë e gjendjes, dëmet parashihen të jenë jashtëzakonisht të mëdha jo vetëm në ekonomitë familjare por edhe në biznese, infrastrukturë e bujqësi. Po ashtu kryetari Hamza ka shtuar se krahas përkrahjes komunale, në një gjendje të tillë nuk duhet munguar edhe mbështetja nga institucionet e nivelit qendror.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti tha se niveli qendror që nga momenti i parë, ka qenë në ndihmë të qytetarëve në zonat e prekura nga përmbytjet e ujit sikurse përmes Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave dhe FSK-së, për të ofruar mbështetje të menjëhershme ashtu edhe përmes kompanive rajonale të ujësjellësit për të siguruar furnizim me ujë të pijes.

Ndërkohë për ditgët në vijim Kurti u zotua për sanimin e dëmeve të shkaktuara. Por ai theksoi se përveçse me pasojën, do të merren edhe me shkaktarët. Sipas tij, për shumë vite rresht, shtretërit e lumenjve janë dëmtuar pa e me leje, pyjet janë çpyllëzuar me apo pavetëdije, kurse projekte infrastrukturore janë realizuar pa planifikim adekuat. Këto siç u shpreh ai kanë përkeqësuar situatën pas reshjeve të shiut. Ndërkohë Asociacioni i Komunave të Kosovës kërkoi nga Qeveria që të t'u mundësojë komunave një fond emergjent në mënyrë që ato të përballen me fatkeqësi të tilla. Sipas tyre, vërshimet nuk janë problemi i vetëm, pasi gjatë vitit Komunat ballafaqohen edhe me fatkeqësi tjera natyrore. Prandaj Bordi kërkon që Fondin Emergjent ta menaxhojnë Komunat për t'u ardhur në ndihmë qytetarëve të tyre.


MË SHUME NGA Kosovë