Objektet fetare në Ferizaj pritet t`i nënshtrohen restaurimit|Video
BKT
Kosovë

Objektet fetare në Ferizaj pritet t`i nënshtrohen restaurimit|Video

Driton Ramadani / RTK

Në Ferizaj pritet të restaurohen dy objekte fetare të kësaj komune. Xhamia e Madhe dhe Kisha Katolike për vite të tëra nuk kanë pasur investime në infrastrukturën e objekteve duke bërë që ato vit pas viti të pësojnë dëmtime. Madje përfaqësues të tyre thonë se kjo është pasqyrë jo e mirë për vizitorët të cilët vizitojnë këto objekte fetare. Por së shpejti, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës ato pritet t’i nënshtrohen procesit të rinovimit.

Dy objekte fetare Xhamia e Madhe dhe Kisha Katolike në Ferizaj priten që të restaurohen me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës. Në xhaminë e madhe thonë se asnjëherë nuk ka pasur investime nga institucionet dhe se nevoja është e madhe sidomos në kuben e xhamisë

 “Projekt shumë i qëlluar edhe është me vend meqenëse xhamia dhe kisha janë panorama e qytetit të Ferizajt. Po ka nevojë e sidomos kubja në mënyrë urgjente  duhet rregulluar dhe ndërtuar. Kemi nevojë mandej ta bëjmë  edhe hyrjen e xhamisë”, thotë Adem Hoxha, ish-imam i xhamisë së madhe "Mulla Vesel Guta".

Ndërsa përfaqësues të Kishës Katolike thonë se investimet janë të mirëpritura por që të njëjtat duhet të bëhen jo vetëm sa për tu dukur.

 “Për arsye se është një objekt që përveç historisë përcjell edhe mesazhin e vet që e ka pasur në jetën dhe në përcjelljen e qytetarëve të Ferizajt. Edhe sot është shumë e habitshme për shumë turistë si vendor edhe ashtu ndërkombëtar që vijnë edhe e shohin në këtë gjendje. Është një pasqyrë tejet e keqe për shtetin tonë, për vendin tonë”, tha Don Mikel Sopi, famullitar i kishës katolike "Engjëlli i Rojës".

Besimtarët thonë se investimet duhet të ndodhin sa më parë.

 “Janë të mirëseardhura se ne vijmë këtu çdo të diele, nganjëherë edhe çdo ditë vijmë këtu. Kemi fëmijë të vegjël, këto pllakat kanë ra disa, disa i kanë hequr. Edhe në kor kur po i shoh edhe fëmijët e edhe të mëdhenjtë po rrjedh uji tanë kohën shikojë lartë mos po bije ndonjë copë tjetër e Zot runa me na zanë dikë prej nesh?”, tha Aurora Kurti,  besimtare.

“Mendoj se është një vendim i mirë të investojnë në këtë xhami me e rregullua dhe  me ja dhënë një pamje të mirë edhe qytetit”, thotë  besimtari tjetër, Faruk Salihu.

Për restaurimin e Xhamisë së Madhe dhe Kishës Katolike në Ferizaj nga Ministria e Kulturës janë ndarë rreth 800 mijë euro.


MË SHUME NGA Kosovë