Hani i Elezit, ura pëson çarje, rrezikon jetën e qytetarëve |Video
Driton Ramadani /RTK
Ngasësit e automjeteve janë shqetësuar pas një çarjeje që ka ndodhur te vendi i quajtur "Ura e Kashanit" në hyrje të qytetit të Hanit të Elezit.
Komuna kërkon që Ministria e Infrastrukturës të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për ta sanuar këtë rrezik.
“Të ndërmarrin masa sa më shpejtë për shkak dëmtimit të asaj ure, që qytetarët ose vozitësit të mos kenë problem edhe pse ajo urë është ma e vjetër e dimë që shpeshherë ka pasur riparime, pavarësisht që ne nuk e kemi në përgjegjësi të mirëmbajtjes, por është përgjegjësi në zonën tonë”, ka thënë Mehmet Ballazhi Kryetar i Komunës së Hanit të Elezit.
Për ta parë nga afër gjendjen e urës në inspektim ishin përfaqësuesit nga Ministria Infrastrukturës.
Për RTK-në, nga ky institucion thanë se po e trajtojnë këtë rast pasi është ankuar edhe komuna.
Ata që e frekuentojnë këtë rrugë thonë se duhet pasur shumë kujdes sepse mund të dëmtohen automjet por mund të vijë edhe deri te ndonjë aksident.
Shqetësim i kësaj magjistraleje është edhe shembja e gurëve në rrugë, sidomos gjatë të reshurave.























