SBASHK-u pajtohet “deri diku” me koeficientin e Ligjit të Pagave
J.Musliu/RTKlive
SBASHK-u i është drejtuar anëtarësisë lidhur me vlerën e koeficientit në Ligjin e pagave, duke thënë se nuk e ka ndërmend të dërgojë ankesë te Avokati i Popullit për ta dërguar ligjin në Gjykatën Kushtetuese.
Më anë të një komunikate për media,nga kjo sindikatë vlerësojnë se ky rangim ka bërë që vlera e koeficientit prej 105 euro, e cila siç shprehen, nuk i plotëson pritjet e tyre, por ajo mundëson që mbi 90% e anëtarësisë të kenë një rritje page mesatare rreth 100 euro.
“SBASHK-u për momentin mendon që ligji duhet të fillojë zbatimin me pagat e muajit shkurt 2023 dhe të metat eventuale të ligjit të përmirësohen gjatë kohës sa është duke u zbatuar ligji”, thuhet në adresimin e SBASHK-ut, duke shtuar se “janë të vetëdijshëm se kjo vlerë e koeficientit nuk plotëson pritjet e as nevojat, duke marrë parasysh ngritjet e çmimeve, por edhe koston e jetesës në përgjithësi”.
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës rikujton se në këto faza nuk ka pasur asnjë konsultë për caktimin e vlerës së koeficientit dhe as nuk është kërkuar nga asnjë organ pëlqimi i tyre.























