Fondi për kompensimin e viktimave të krimit, i pamjaftueshëm
Kosovë

Fondi për kompensimin e viktimave të krimit, i pamjaftueshëm

Bardha Shkreli/RadioKosova

Fondi për kompensimin e viktimave të krimit në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, është i pamjaftueshëm për të mbuluar të gjitha palët e dëmtuara, thonë avokatët në Kosovë. Ndërkaq, nga Ministria e Drejtësisë bëhet e ditur se këtë vit buxheti për këtë fond është rritur.

Një qytetar, i cili vërtetohet se ka kryer vepër penale dhe shpallet fajtor, i njëjti udhëzohet nga gjykata që të kompensojë dëmin e viktimës.

Avokatja Fehmije Gashi Bytyqi shpjegon se kur shpallet aktgjykimi,gjykata e shqipton edhe një gjobë për të dënuarin, e cila arrin shumën deri në 100 euro dhe, sipas saj, kjo tregon se fondi është i varfër. Më tej, ajo thotë se kompensimi nga shteti mund të kërkohet në rastet kur viktima nuk mund ta realizojë të drejtën për dëmshpërblim nga i dënuari.

 “Deri më tani, në praktikën gjyqësore nuk di ndonjë rast, që ka realizuar dikush që përmes këtij fondi të kompensohet. Po marr një shembull: te vrasjet në tentativë, te vrasjet-dëmet janë shumë të mëdha dhe zakonisht shumat janë shumë të mëdha dhe kërkohen nga pala”, deklaroi Bytyqi.

Avokatja Bytyqi shpjegon se ka raste kur viktimat e krimit apo palët e dëmtuara mbesin pa u kompensuar me shumën që u takon për shkak të problemeve që paraqiten te personi i dënuar.

 “Problemet më serioze i kemi në rastet kur pala që e ka kryer krimin dhe gjendet në burg. Dhe në Kosovë pronësitë janë problem, sepse ato barten kur vdes pasardhësi, apo kur iu nevojitet ndonjë dokument, mandej pala s’ka asgjë mbi vete, apo nuk ka buxhet ose nuk ka mjete në llogari bankare, kështu që është tejet problem që të ndodhë kompensimi i dëmit ndaj viktimës”, shtoi ajo.

Megjithatë, avokatja Bytyqi thotë se te veprat e peshës më të lehtë, fondi nga shteti edhe mund të ndihmojë viktimat.

Ndërkaq Flamur Çollaku, shef i divizionit për mbështetje të viktimave të krimit në Ministrinë e Drejtësisë, thotë se këtë vit fondi është rritur.

 “ Fondi për kompensimin e viktimave të krimit është në shumën prej 148 mijë eurosh i paraparë për vitin 2023, i ndarë nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Duke iu referuar kësaj shume, ju njoftoj po ashtu se në vitet paraprake vlera e fondit ka qenë 78 mijë euro e që, sipas kërkesave të pranuara, nuk ka qenë i mjaftueshëm për kompensimin e viktimave të krimit. Si rezultat i kësaj, Qeveria e ka rritur buxhetin për kompensimin e viktimave të krimit”, theksoi Çollaku.

Tutje, ai shpreh bindjen se fondi për kompensimin e viktimave të krimit do të mjaftojë për faktin se me ndryshimet ligjore, është krijuar mundësia për qasje direkte në kompensim që u referohet viktimave fëmijë, viktimave të dhunës në familje dhe viktimave të trafikimit me qenie njerëzore.


MË SHUME NGA Kosovë