Inovacionet e studentëve|Video
Valbona Tahiri/RTK
Zhvillimi i teknologjisë ka ndryshuar jetesën në përgjithësi. Kjo fushë tanimë del të jetë edhe më e kërkuara për t’u studiuar nga të rinjtë
Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës e dëshmon këtë. Studentët e këtij fakulteti çdo ditë arrijnë suksese në gara
të ndryshme të teknologjisë, me theks të veçantë atë të sigurisë kibernetike.
Zhvillimi i teknologjisë dhe nevoja për përdorimin e saj, por edhe perspektiva që krijon tashmë kjo fushë, ka ndikuar që shumë të rinj në vendin tonë të zgjedhin profesion të së ardhmes së tyre.
Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës, është njëra nga njësit akademike më të preferuarat nga të rinjtë për studime.
Sistemi SEMS duke qenë një ueb aplikacion për ruajtjen dhe përpunimin e informatave të ndryshme personale, kërkon një siguri të madhe kibernetike për tu mbrojtur nga sulme të ndryshme.
Pikërisht për këtë Rrezarta Thaqi ka krijuar një shtojcë e cila detekton sulmet e mundshme që mund t’i bëhen ueb aplikacionit SEMS.
“Për të punuar atë shtojcë kam punuar me tre lloje. Inovacion është automatizimi e çka do të thotë kjo mund t’i detektojnë shumë kompani të tjera sulmet...”, sqaroi Rrezarta Thaqi, studente në FIEK.
Për identifikimin e sulmeve kibernetike të ueb faqeve të ndryshme, ka krijuar një shtojcë edhe studenti i nivelit të studimeve master, në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Leand Thaçi.
“Përgjatë studimeve të mija jam përqendruar në sulme kibernetike dhe gjatë studimit e kam pa që sulmet ‘fishing’ kanë një rritje të madhe, me rritjen e shërbimeve ‘online’ është rritë edhe ndikimi i sulmeve ‘fishing’. Ky sulm është shumë i vjetër”, tha mes tjerash, Leand Thaçi, student në FIEK.
Përkrahja më të madhe nga shteti për këta student kërkon profesori Blerim Rexha.
“MASHT ka vend t’i mbështesë më shumë...ka një fond për shkencë që nuk shpenzohet asnjëherë....”, Blerim Rexha , profesor në FIEK.
Ministria e Arsimit në nëntorin e vitit 2022 kishte shpallë thirrje për mbështetje financiare të studentëve në fushën e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës të arsimit të lartë në Kosovë, nga e cila thirrje përfituan 1.609 studentë në shumë prej 1 mijë eurove.























