Podujevë, afaristët: Të bashkohemi për fuqizimin e ekonomisë
BKT
Kosovë

Podujevë, afaristët: Të bashkohemi për fuqizimin e ekonomisë

Fazli Veliu/ RTK

Shoqata e Afaristëve të Podujevës mbajti Kuvendin e Parë të punës, në të cilin morën pjesë mbi 100 përfaqësues të bizneseve dhe përfaqësues të Kuvendit Komunal të Komunës së Podujevës, të shoqërisë civile, si dhe ata të KFOR-it.

Kryetari i Shoqatës së Afaristëve të Podujevës, Bashkim Osmani, pasi u dëshiroi mirëseardhjen mysafirëve, i ftoi gjithë afaristët llapjanë që t’i bashkohen shoqatës për interesa të përbashkëta që do ta fuqizonin ekonominë e Llapit dhe Gollakut.

 “Ne si biznese po mundohemi të japim shembuj të mirë me ide kreative dhe inovative, për të ruajtur fuqinë punëtore dhe për të ndaluar migrimin e të rinjve tanë drejt vendeve perëndimore, duke pasur parasysh që shumë prej tyre mezi po e presin liberalizimin e vizave për të ikur nga Kosova”, deklaroi Osmani.

Bashkëpunimi në mes bizneseve tona sektoriale dhe josektoriale duhet të fillojë nga ne, që bashkërisht të kemi ndikim në nivel lokal dhe atë qendror, por edhe në nivelet tjera ndërkombëtare, duke e mbajtur kapitalin brenda Llapit, por duke thirrur investime edhe nga jashtë vendit.

Tutje, në takim u theksua se themelimi i kësaj shoqatës ishte nevojë e domosdoshme, sepse koordinimi i bizneseve të Llapit për të avokuar apo lobuar në qeverisjen lokale dhe atë qendrore nuk ekzistonte, teksa u shfaq shpresa se në të ardhmen do të ketë bashkëpunim më të mirë.

prandaj ne sot takohemi me autoritetet lokale dhe qendrore, fal organizimit tonë ekonomik.

Më tej, u theksuan edhe sukseset e Shoqatës së Afaristëve të Llapit, ku, kryetari i saj përmendi, ndër të tjera, tryezën e organizuar mes deputetëve të partive të ndryshme dhe shoqatës, derisa deputetët e Llapit dhe Gollakut pas mbylljes së Terminalit Doganor premtuan se ai do të hapet shumë shpejt, ndaj edhe rihapja ndodhi. Po ashtu, kryetari i kësaj shoqate, Bashkim Osmani vuri në pah disa memorandume bashkëpunimi me organizata të ndryshme kanë pasur bizneset e diasporës.

Duhet theksuar se Kuvendin e punës së shoqatës e përshëndetën edhe përfaqësuesit e komunës, të Shoqërisë Civile, si dhe shumë mysafirë.

Drejtoresha e Shoqatës, Arta Mehana, paraqiti të arriturat e shoqatës si dhe planet për vitin 2023, ndaj theksoi se prioritet i punës së saj është rritja e numrit te anëtarëve dhe zhvillimin ekonomik të komunës. Ajo shpalosi para të pranishme disa nga objektivat për ketë vit, nder to edhe vazhdimin e takimeve mes deputetëve dhe anëtareve të bizneseve.

Në takim përfaqësuesit e bizneseve ngritën si shqetësim ikjen e të rinjve nga vendi dhe mungesën e fuqisë punëtore.


MË SHUME NGA Kosovë