Lipjan, arrestimi i zyrtarëve mban peng projektin|Video
BKT
Kosovë

Lipjan, arrestimi i zyrtarëve mban peng projektin|Video

Valjete Shala/ RTK

Arrestimi i shtatë zyrtarëve komunalë të Lipjanit, të cilët dyshohet se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare në rastin e projektit për ndërtimin e stadiumit të Magurës, ka lënë projektet e papërfunduara.

Në komunë nuk flasin për këtë çështje, ndërsa opozita komunale kërkon përgjegjësi.
Tash e disa javë i janë vendosur shiritat.
Punimet në stadiumin në Magurë të Lipjanit nuk përfunduan për tri vjet, por për këtë projekt 9 persona u arrestuan, 7 nga ta zyrtarë komunalë. Të gjithë dyshohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit dhe mashtrim.
Për të gjitha këto, komuna ka vendosur të heshtë.
RTK ka provuar të marrë një përgjigje nga zyrtarët komunalë, por kanë thënë se nuk mund ta komentojnë këtë rast, pasi janë duke u kryer hetimet.
Por, opozita vazhdon të kërkojë përgjegjësi.
“Kemi kërkuar përgjegjësi politike për të vetmen arsye të gjithë ata shërbëtorë civilë janë nën menaxhim të drejtorëve dhe drejtorët janë drejtorë politikë të emëruar direkt nga kryetari i Komunës", tha Arsim Jashari, shef i grupit parlamentar të PDK-së.
“Tani mendojmë se hetimet duhet të vazhdojnë te udhëheqja e Komunës, por edhe te kryetari i Komunës për shkak se, sipas ligjit për vetëqeverisje lokale, menaxheri i projektit dhe komisioni për pranim teknik caktohet nga kryetari dhe ata i japin përgjegjësi kryetarit dhe është e pamundur që përgjegjësia të mos shkojë edhe në nivele të larta të Komunës", tha Alban Salihu, shef i grupit asamblist të LVV-së.
Personat e arrestuar si anëtarë të Komisionit Teknik kishin bërë pranimin e punimeve të stadiumit futbollistik në Magurë, se kinse janë kryer punimet sipas kontratës. Të arrestuarit me këto veprime dyshohet se i kanë shkaktuar dëme buxhetit komunal në vlerë rreth treqind mijë euro.


MË SHUME NGA Kosovë