Dëmet milionëshe nga vërshimet |Video
Fatos Cervadiku /RTK
Vërshimet e rreth një muaji më parë në Skenderaj, kanë lënë dëme të konsiderueshme e që të prekurit nga këto vërshime akoma nuk po mund ta marrin veten.
Një nga fshatrat më të dëmtuar në këtë komunë, nga vërshimet është Tushila.
Jahir Sadikut nga ky fshat, vërshimet ia dëmtuan shtëpinë, ai tha se ende nuk ka mundur të hyjë në të.
Sadiku kërkoi nga qeveria që tu dalë në ndihmë, derisa tha se nga komuna përkrahja nuk ka munguar.
Nga vërshimet, shtëpia iu dëmtua edhe Aferdita Ujkanit, e cila jeton vetëm me djalin e saj.
Ajo tha se ka marrë ndihma nga komuna, kurse nga qeveria tha se pret që ta ndihmojë atë dhe çdo familje të prekur.
Nga Komuna e Skenderajt thanë se kanë vazhduar t'u dalin në ndihmë të prekurve nga vërshimet brenda kapaciteteve komunale, ndërkohë sipas tyre dëmet e shkaktuara janë rreth 12 milionë euro e që po e presin edhe përkrahjen e Qeverisë për t`i sanuar këto probleme.























