Pjetër Shala mohon akuzat: Nuk luftova kurrë ndaj civilëve|Video
Donika Sherifi/RTK
Në bankën e të akuzuarve në Gjykatën Speciale ishte edhe njëherë sot ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala.
Në deklaratën e tij, jo nën betim, tha se ai ka qenë një luftëtar lirie. Ndërkaq, avokati i Shalës tha se në fabrikën ku prokuroria supozon se ka pasur burg, Shala
andej vetëm kishte kaluar dhe nuk kishte qëndruar.
“Kam qenë vetëm një luftëtar që kam luftuar për lirinë e vendit dhe popullit tim, asgjë më shumë e asgjë më pak?”, tha Shala.
Me këto fjalë, ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala mohoi para trupit gjykues të Gjykatës Speciale akuzat me të cilat ngarkohet.
Me deklaratën pa betim, Shala i njohur si komandant “Ujku”, tha se nëse ka drejtësi, atëherë ai do të shpallet i pafajshëm nga akuzat për krime lufte.
“Unë kam luftuar kundër një makinerie policore-ushtarake, kundër regjimit të Millosheviqit, por kurrë kundër civilëve”, tha Shala në fjalën e tij.
“Nëse është qëllimi i këtij institucioni të më dënojë pse kam luftuar për lirinë e vendit tim, ok, por jo në këtë mënyrë, të njollosem e baltosem, nuk është metodë e imja dhe e asnjë luftëtari të Kosovës. Ne nuk kemi luftuar kundër civilëve?”.
Çështjen ndaj Shalës, avokati i tij, Jean Louis Giliseen, e ka quajtur të mbështetur në thashetheme dhe aspak në të vërteta.
“Zotëri Shala ka luftuar kundër autoriteteve dhe asnjëherë nuk ka sulmuar asnjë anëtar të popullsisë civile, apo për shkak se ka qenë serb, ai nuk është kriminel. Kjo çështje penale nuk ka informacion të mjaftueshëm dhe do t'ju kërkoja të tregoni modesti, sepse kujtojmë se Shala deri në momentin kur merret vendimi, është i pafajshëm, ndërkohë që dje i drejtohej gishti si fajtor. Ky është
fillimi i procesit gjyqësor, mos harroni”, tha Jean Louis Giliseen, avokat i Pjetër Shalës.
Avokati tutje ka mohuar se Shala ka qëndruar në fabrikën e metalit në Kukës ku akuzohet se ka kryer krime.
“Shala thjeshtë kaloi në fabrikën e metalit dhe nuk u stacionua atje. Ai nuk ka parë e as ditur ndonjëherë gjë për ekzistencën e ndonjë burgu në këtë fabrikë dhe ai ka thënë se nuk ka marrë pjesë në marrjen në pyetje të dikujt apo ta ketë torturuar dikë”, deklaroi Jean Louis Giliseen, avokat i Pjetër Shalës.
Vetë Shala i mohon akuzat dhe për këtë ZPS duhet parë vërtetë fajësinë e tij apo jo në këtë situatë.
Seanca e radhës ndaj Pjetër Shalës mbahet më 27 mars, në të cilën do të paraqiten dëshmitarët e parë.























