Rrihet një fëmijë nga edukatorja, ndaj saj ndërmerren masa|Video
BKT
Foto: RTKlive
Kosovë

Rrihet një fëmijë nga edukatorja, ndaj saj ndërmerren masa|Video

Edina Avdiu/ RTK

Një fëmijë 5 vjeç dyshohet se është viktimë e dhunës nga edukatorja. Kështu deklarojnë nga prokuroria.

Edukatorja është shkarkuar menjëherë nga detyra nga drejtoresha e këtij institucioni, e cila ka thënë se pas shikimit të kamerave, ka vërtetuar se edukatorja ka ushtruar dhunë ndaj një fëmije.

 Prindërit janë shprehur të shqetësuar nga kjo ngjarje. Sipas menaxheres së këtij kopshti, edukatorja së cilës iu besua kujdesi ndaj fëmijës, e goditi me shuplakë në fytyrë 5 vjeçarin, teksa po e vinte në gjumë.
Drejtoresha e këtij kopshti, Agnesa Shipoli Nika, pas rishikimit të kamerave, ka vërtetuar
pretendimet e menaxheres.

“Më datë 20.02 rreth orës 13:07 minuta në kopshtin tonë ka ndodhur një sulm fizik ndaj një fëmije, ku menaxherja e kopshtit më ka informuar se është si rast i dyshimtë. Menjëherë kam marrë dhe i kam vëzhguar kamerat dhe në kamera kam vërejtur se edukatorja në fjalë i ka dhënë një goditje me një shuplakë një fëmijës”, tha Agnesa Shipoli Nika, drejtoresha e kopështit.


Ajo, më tej tha se me vendim të menjëhershëm e shkarkoi nga puna edukatoren, e cila ushtroi dhunë ndaj fëmijës, e që e kishte pranuar veprën, për të cilën kishte thënë se atë e ka bërë në afekt.


Rasti u raportua në Polici nga nëna e fëmijës. Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, rasti është iniciuar si “Lëndim i lehtë trupor”. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit,  rasti shkon në procedurë të rregullt.


Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni, tha se është njoftuar prokurori kujdestar dhe është iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Keqtrajtim apo braktisje e fëmijës”.
Prindërit, fëmijët e të cilëve janë në këtë kopsht, thonë se janë të tronditur.


“Neve na ka prek si prind, e kam pyetur kryesoren e çerdhes se nuk kam besuar. Tash kemi edhe ne dyshime se edhe neve ka mundur të na ndodh. Kemi fol me femijë e pyeti”, deklaroi Mihane Puqani, prind I një fëmijë që është në këtë kopësht.


Për këtë rast ka reaguar edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. Ajo nëpërmjet një shkrimi në facebook ka thënë se Inspektorati i Arsimit e ka inspektuar këtë institucion parashkollor me ç'rast është informuar se edukatorja është shkarkuar nga puna me vendim të drejtoreshës së çerdhes.


MË SHUME NGA Kosovë