Në mungesë kuorumi, Kuvendi nuk miraton raportin e Komisonit për energji
BKT
Kosovë

Në mungesë kuorumi, Kuvendi nuk miraton raportin e Komisonit për energji

RTKlive

Seanca e rregullt të Kuvendit të Kosovës, e mbajtur sot nën kryesimin e kryeparlamentarit Glauk Konjufca, filloi me një minutë heshtje në nderim të të rënëve dhe viktimave të luftës në Ukrainë, pas agresionit të Rusisë mbi këtë vend, i cili tashmë është në prag të njëvjetorit të fillimit të tij.

Seanca vijoi punimet me procedimin e dy pikave të përhershme në seancat plenare: deklarime jashtë rendit të ditës dhe  pyetje  parlamentare. 

Me këtë rast, në pyetjet parlamentare u përgjigjën, kryeministri i vendit, Albin Kurti, si dhe anëtarët e kabinetit qeveritar: Hekuran Murati, Artane Rizvanollli, Elbert Krasniqi, Rozeta Hajdari dhe Arbërie Nagavci. 

Seanca vijoi  me votimin në parim të Projektligjit nr.08/L-180 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit Nr. 06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. 

Deputetët votuan në parim këtë projektligj, ndërkaq Projekt-rezoluta për adresimin e çështjes së rritjes së faturave të tatimit në pronë, nuk mori votat e mjaftueshme të deputetëve. 

Pas kësaj u shqyrtuan dhe u përkrahën edhe tri projektligje të karakterit të marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat para deputetëve i paraqiti dhe arsyetoi kreu i Qeverisë, Albin Kurti. 

Projektligjet e miratuara me këtë rast janë: Projektligji nr.08/L-215 për Ratifikimin e Marrëveshjes për Lëvizjen e Lirë me Letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor, Projektligji nr.08/L-216 për Ratifikimin e Marrëveshjes për Njohjen e Kualifikimeve të Arsimit të Lartë në Ballkanin Perëndimor,
si dhe Projektligji nr.08/L-217 për Ratifikimin e Marrëveshjes për Njohjen e Kualifikimeve Profesionale të Mjekëve, Stomatologëve dhe Arkitektëve në kontekstin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore. 

Më pas u vijua me shqyrtimin e Raportit të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës. 
Lidhur me këtë, fillimisht foli kryesuesi i këtij Komisioni deputeti, Driton Selmanaj. 
Në fillim të fjalës së tij, Selmanaj njoftoi se Komisioni nuk ka mundur të formulojë rekomandime, për shkak të mungesës së deputetëve të mazhorancës në këtë Komision, ditën kur do duhej votuar rekomandimet. 

Më pas, ai bëri të ditur për procesin e punës së Komisionit, përkatësisht sfidat me të cilat ata janë ballafaquar gjatë punës së tyre. 

Lidhur me këtë, në emër të Grupit Parlamentar të VV-së foli deputetja Jeta Statovci. Sipas saj, Komisioni nuk ka evidentuar ndonjë parregullsi dhe lëshim të faktuar, nga ana e Qeverisë, gjatë menaxhimit të krizës energjetike. 

Ajo tha se problemi me furnizim me energji ishte global, për shkak të luftës në Ukrainë, ndërsa në vijim përmendi kronologjikisht një varg veprimesh që, siç tha ajo, institucionet e Kosovës kanë ndërmarrë për të evituar krizën energjetike dhe efektet e saj në mirëqenien e qytetarëve.  

Në emër të PDK-së, fjalën e mori kryetari i këtij Grupi Parlamentar, Abelard Tahiri. Ai vuri në spikamë një varg parregullsish, që sipas tij, e kanë shoqëruar procesin e menaxhimit të krizës energjetike nga ana e Qeverisë, ndërkaq, u shpreh i bindur se i tërë ky proces duhet hetuar nga ana e Prokurorisë. Lidhur me këtë,  Tahiri paralajmëroi edhe kallëzim penal tek organet kompetente. 

Deputeti Driton Selmanaj, mori prapë fjalën, kësaj radhe në emër të Grupit Parlamentar të  LDK-së. Edhe me këtë rast ai pretendoi për aspekte të parregullsive dhe ndikime politike në institucionet relevante energjetike. Ai tha i tërë procesi duhet hetuar dhe zbardhur, sipas tij, parregullsitë që e kanë përcjellë atë. 

I bindur se menaxhimi i krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Republikës së  Kosovës është përcjellë me parregullsi dhe devijime të shumta, u shpreh edhe kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili, sikurse parafolësit e tij të opozitës, vlerësoi se duhet hetim rrënjësor i çështjes së energjisë. 

Debati lidhur me këtë çështje vijoi edhe pas deklarimit të përfaqësueseve të grupeve parlamentare. Me këtë rast u vunë re mospajtime të thella ndërmjet përfaqësueseve të opozitës dhe atyre opozitarë. 

Në frymë mospajtimesh dhe debatesh të ashpra, debati edhe mori fund. 
Pas kësaj, raporti u hodh në votim  dhe  Kuvendi,  në mungesë kuorumi, nuk arriti të miratojë Raportin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës.


MË SHUME NGA Kosovë