Osmani kërkon drejtësi për masakrën e Likoshanit e Qirezit
M.Sh/RTKlive
Sot janë bërë 25 vjet nga dita kur regjimi serb i Sllobodan Millosheviqit nisi vrasjet e maskrat ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë. Më 28 shkurt 1998, në Qirez e Likoshan të Drenicës u vranë dhe më pas u masakruan 24 shqiptarë nga ushtria dhe polica serbe. Këtë ditë e përkujtoi edhe presidentja Vjosa Osmani e cila tha se “nuk do të ndalemi derisa drejtësia të vendoset dhe autorët të marrin dënimin e merituar”
“Më 28 shkurt të vitit 1998 policia e regjimit gjenocidal serb vrau 24 shqiptarë në Likoshan dhe Qirez të Drenicës. Kjo ditë tmerri shënoi fillimin e vrasjeve masive të shqiptarëve nga ana e regjimit gjenocidal të Serbisë në vatrën e rezistencës, në Drenicë. Kjo intensifikoi edhe më luftën tonë çlirimtare të djemve dhe vajzave të UÇK-së, të cilët nuk kursyen asgjë për lirinë e vendit”, ka shkruar presidentja osmani.
Në 25-vjetorin e kësaj masakre, ajo tha se kujtimi për të rënët nuk zbehet kurrë.
“Nuk do të ndalemi derisa drejtësia të vendoset dhe autorët të marrin dënimin e merituar. Qoftë i përhershëm kujtimi për të vrarët në masakrën e Likoshanit dhe atë të Qirezit!”, ka shkruar presidentja Osmani në 25 vjetorin e kësaj masakre.
Ndryshe, në nderim të kësaj dite, homazhe te varrezat në Drenicë ka bërë kryeparlamentari Glauk Konjufca, kryeministri Albin Kurti, kreu i PDK-së , Memli Krasniqi, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe udhëheqës të Komunës së Skenderajt e Drenas.
Kryeparlamentari Konjufca dhe kryeministri Kurti, pas homazheve, kanë vlerësuar lart sakrificën e të rënëve për lirinë e vendit. Ndërsa kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, së bashku me anëtarë të tjerë të kësaj partie kanë bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve në fshatrat Likoshan e Qirez të Drenasit. Ndërsa, kreu i AAK-së tha se kjo masakër ka ndodhur si hakmarrje për humbjet e mëdha të armikut nga UÇK-ja.























