ORCA: Ndryshimet në ligjin për Agjencinë e Akreditimit, degjenerues
BKT
Kosovë

ORCA: Ndryshimet në ligjin për Agjencinë e Akreditimit, degjenerues

M.Miftari/RTKlive

Pas një pune shumë të gjatë të grupeve punuese, konsultave me ekspertë, diskutimeve publike, rekomandimeve të zyrtarëve të ENQA-s dhe EQAR-it, lidhur me projektligjin për Agjencinë e Kosovës për Akreditim, u hartua drafti, në të cilin pas kalimit fillestar në Komisionin për Arsim të Kuvendit, me iniciativë të kryetarit Ardian Gola, u propozuan disa ndryshime të fundit, të cilat e degjenerojnë ligjin në tërësi.

Përmes një komunikate të ORCA-s ka reaguar ndaj deputetit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola, njëherësh kryetar i Komisionin për Arsim në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ku bëhet e ditur se deputeti Gola ka lobuar aktivisht në dobësimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë që shërben si bord i agjencisë.

Tutje në komunikatë sqarohet se një veprim i tillë është kundërshtua në një takim publik me Komisionin nga vet Presidenti i EQAR-it, institucion ky prej të cilit Kosova ishte përjashtuar për shkak të ndërhyrjeve politike.

“Të gjitha këto ndërhyrje janë bërë me qëllim që t’ia marr Agjencisë rolin kryesor që ka e që është përcaktimi i kritereve të akreditimit të cilat përcaktohen ekskluzivisht nga manualet e akreditimit që i nxjerrë Agjencia e Akreditimit, që burojnë nga standardet evropiane të përcaktuara nga ENQA dhe EQAR (standardet ESG)”, thuhet në komunikatë

Më tej, sikundër bëhet e ditur në komunikatë, ORCA e kundërshton këtë lloj abuzimi me fuqinë dhe mospërfillje të gjithë punës së deritashme për draftin origjinal të projektligjit nga ana e kryetarit të Komisionit për Arsim, derisa ORCA rikujton se institucionet publike në përgjithësi, e deputetët në veçanti, duhet të afirmojnë dhe mbrojnë interesin publik e jo interesat e grupeve, që u përkasin apo bizneseve që mund të kenë lidhje me ta.


MË SHUME NGA Kosovë