Në maj vijnë kioskat e reja në kryeqytet|Video
Qendresa Duraku- Xharra /RTK
Në kryeqytet janë larguar shumica e shitësve ambulantë nga sheshet, por jo përgjithmonë. Ata do të kthehen aty në maj përmes një projekti me kioska, të cilin komuna po synon ta bëjë modern.
Në sheshet e Prishtinës ndër vite janë parë në numër të madh shitësit ambulantë duke shitur ushqime e gjësende të ndryshme. Por, tani shumica e tyre janë larguar.
Ata shitës të paktë të cilët shihen në këto sheshe, kryesisht shesin aksesorë.
"Këta shitësit që janë këtu nuk janë të mira se vjen gjithkush dhe i sheh këto. Komuna është dasht më herët e jo me prit kur të mbushet pas po e prish imazhin e qytetit", tha Halil Gashi, qytetar
"Për synin pengojnë nëpër rrugë sepse disa prej tyre nuk janë të kujdesshëm se gjuajnë gjana për
rreth aty ku rrinë", tha Shefqet Sopi, qytetar
"Realisht është një dukuri e shëmtuar do të thotë nuk preferohet dhe nuk është e hijshme", tha Jahja Kadria, qytetar.
Nga Drejtoria e Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinë bëjnë të ditur se shitësit ambulantë tashmë të larguar do të kthehen përsëri, por kësaj radhe me një projekt dhe format ndryshe nga ato që ishin deri më tani.
"Ne planifikojmë me qenë deri në 22 kioske të tilla shtande të tilla për shitësit ambulant. Gjithsesi komisioni do të bëjë verifikimin për arsyeje se ata të cilët kanë qenë gjithmonë të pajisur me leje për ushtrim të veprimtarisë si shitës ambulant në shesh ne mendojmë qe ata prapë me zhvillu këtë veprimtari mirëpo gjithsesi infrastruktura të jetë më e mirë më moderne kushtet e punës për ta do të jenë shumë më të mira, gjithashtu mendojmë që licencat të jenë më afatgjatë", tha Ilirik Musliu, drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve Publike
Musliu tregoi edhe vendet se ku do të vendosen këto kioska.
"Do të ketë në vende të ndryshme, lokacionet do të jenë të ndryshme e mira është që nuk do të kemi në sheshin kryesor mirëpo në kyqjet në rrugë dytësore që ndërlidhen me sheshin janë përcaktuar lokacionet ku do të vendosen këto kioske", tha Musliu.
Sipas zyrtarëve të komunalë, nga muaji maj i këtij viti kioskat do të jenë gati dhe se vlera e projektit do të jetë rreth 200 mijë euro.























