Obiliqi pa investime kapitale|Video
Arbresha Berisha/ RTK
Tetëmbëdhjetë komuna nuk do të përfitojnë as edhe një cent nga mjetet qeveritare për investime të reja kapitale për vitin 2023. Në mesin e tyre është edhe ajo e Obiliqit, nga e cila kanë thënë se nuk do të mund të realizojnë disa prej projekteve të parapara për këtë vit.
Janë vetëm pak kilometra larg njëra-tjetrës, por përfitimet nga Qeveria e Kosovës i kanë të ndryshme. Komuna e Fushë Kosovës, sivjet është përfituese e 1.6 milionë eurove nga Qeveria për investime të reja kapitale, ndërsa ajo e Obiliqit nuk ka përfituar as një cent.
Komunarët e Obiliqit thonë se Qeveria nuk i mbështeti për ndërtimin e një çerdheje dhe ndërtimin e një ure si dhe mbjelljen e druve dekorativë.
“Ne ju kemi drejtuar komisionit parlamentar të Kuvendit me 4 projekte për Komunën e Obiliqit, por fatkeqësisht asnjëra nuk ka kaluar. Mendoj se jemi lënë anash, arsyet nuk i dimë pse jemi lënë në këtë situatë, por ne do të vazhdojmë me investime prej buxhetit tonë”, Ibush Mjekiqi, nënkryetar i Komunës së Obiliqit.
Asamblistët e kësaj komune kanë mendime të ndryshme rreth mosndarjes së mjeteve për investime të reja kapitale në Obiliq.
“Ne si aleancë këtë vendim të qeverisë e konsiderojmë si papërgjegjësi dhe hakmarrje politike. Ne mendojmë që impaktin kryesor e ka qeveria për ta bërë një jetë më të lehtë për qytetarët tanë dhe kemi pasur një penalizim nga ana e kësaj qeverie”, Xhelal Krasniqi, asamblistë i AAK-së në Obiliq .
“Komuna e Obiliqit për dallim prej komunave tjera ka buxhetin më të madh për kokë banori. Duke u bazuar në disa investime që janë bërë në Komunën e Obiliqit, shumica e tyre po përfundojnë edhe në prokurori. Ne mendojmë që ka shkelje të mëdha në shumë fusha. Deri më tani dy projekte të tyre kanë përfunduar në prokurori”, Sami Ahmeti, shef i asamblistëve të LVV-së në Obiliq.
Në Asociacionin e Komunave të Kosovës thonë se Qeveria ka bërë ndarje në baza politike të buxhetit.
Përveç komunës së Obiliqit, janë edhe 17 të tjera, të cilat nuk kanë përfituar mjete nga Qeveria për investimet e reja kapitale. Për nivelin lokal, Qeveria sivjet ka planifikuar 148.1 milionë euro investime kapitale për projektet e reja.
Ministria e Financave nuk u është përgjigjur pyetjeve të RTK-së rreth këtyre ndarjeve buxhetore.























