Hartat zonale të Ferizajt|Video
Driton Ramadani / RTK
Ndërsa në Ferizaj, qytetarët kanë ankesa rreth hartave zonale të qytetit, dokument ky i cili është në diskutim publik. Rrugët që janë të parapara në kuadër të këtij dokumenti disa qytetarëve ua ndan tokat në 3 apo 4 vende duke ua ndryshuar kështu edhe koeficientet e ndërtimit.
Ankesa kanë edhe ndërtuesit, derisa komuna ka bërë të ditur se vërejtjet të cilat dalin nga debati publik do të merren në konsideratë aty ku ka mundësi.
Naxhat Dervishi, banor i Ferizajt, është në pritje të miratimit të hartave zonale të qytetit, duke e cilësuar këtë si një nga dokumentet më të rëndësishme. Ai thotë se ka vërejtje në disa pika.
“Qëllimi jem që jam këtu sepse rruga që kalon nëpër tokën time ma copëton nja 3 ose 4 vende kurse pjesa që e kam 85 ari ka mbetur ndërtim i ulët në mexhë diku 100 metra më lart është shihet aty se është ndërtim i lartë”, shprehet ai.
Edhe qytetarët e tjerë por edhe ndërtuesit thanë se kanë disa vërejtje për këto hartat zonale.
“Ne duhet të jemi të informuar për sa banor është i planifikuar këto harta zonale brenda 8 viteve sa planifikohet të këtë Ferizaj dhe sa në realitet janë planifikuar me hartat zonale”, thotë Rigon Abazi – Ndërtues.
“Planet Rregullaiv r urbane të cilat kanë qenë në fuqi ende nuk janë shfuqizuar dhe tash sapo u informuam nga Drejtori Urbanizmit se Planet Rregullativ Urbane janë të përfshira apo të inkorporuar në Hartën Zonale dhe kjo i bije gjatë tërë periudhës të cilët janë thirrur Drejtoria e Urbanizmit që ka dhënë me qindra leje që vlera e tyre mund të shkojë edhe me qindra miliona euro janë lëshuar në kundërshtim me ligjin”, tha Imri Haliti – Qytetar.
Në Drejtorinë e Urbanizmit në Ferizaj thonë se vërejtjet e qytetarëve do të shikohen për t’u inkorporuar në kuadër të dokumentit.
“Harta zonale është dokument i veçantë nga plani zhvillimor komunal normalisht në planifikim në dokumentet e planifikimit merren si bazë mirëpo është dokument i veçantë nga të gjitha dokumente e tjera. Pas miratimit të hartës zonale pastaj mund të flasim në zonat ku ka interes komuna të përgatit edhe plane më të hollësishme”, tha Arbër Bytyqi – Drejtor i Urbanizmit në Ferizaj.
Diskutimi publik për vërejte dhe sugjerime të hartave zonale 2023-2030 në Ferizaj do të jetë i hapur deri më 1 prill të këtij viti.























