Vendoset tabela komunikimi për logopedë në ‘Parkun Arbëria’
Albana Bajrami/ Radio Kosova
Për nder të ditës Ndërkombëtare të Logopedisë, në Parkun Arbëria në Prishtinë do vendoset për herë të parë një tabelë e komunikimit për individ me vështirësi gjuhësore. Kjo tabelë u lejon njerëzve me vështirësi në komunikim të shprehen në një mënyrë që të tjerët mund ta kuptojnë.
Kjo iniciativë e Institutit Kosovar për Logopedi, është mbështetur nga Komuna e Prishtinës, ndërsa do vazhdojë edhe në shumë parqe të tjera në Kosovë.
OJQ Instituti Kosovar për Logopedi në kuadër të ditës Evropiane të Logopedisë ka krijuar një tabelë Komunikimi për individ me vështirësi gjuhësore, që do të vendoset në “Parkun Arbëria”, Prishtinë, këndi përballë Shkollës “Mehmet Gjevori”.
Drejtorja e Institutit Kosovar për Logopedi, Ardita Uka-Rexha, ka thënë për Radio Kosovën se një nga vështirësitë me të cilat përballen familjet me aftësi të kufizuara, është se kanë më pak vende për t’u takuar dhe për të qenë pjesë e komunitetit.
“Sipas një studimi mbi aftësitë e kufizuara fizike dhe zhvillimore, 53% e fëmijëve me aftësi të kufizuara shpenzonin më pak se dy orë në javë me bashkëmoshatarët e tyre jashtë klasës. Duke i bërë këndet e lojërave gjithëpërfshirëse, ne zgjidhim këtë problem duke i lejuar fëmijët me zhvillim tipik dhe atipik të luajnë së bashku dhe të mësojnë nga njëri-tjetri”, ka thënë ajo.
Uka-Rexha, theksoi se terrenet e lojërave gjithëpërfshirëse inkurajojnë lojën, e cila çon në mirëkuptim të ndërsjellë, miqësi dhe një ndjenjë më të fortë të komunitetit.
“Nëpërmjet kësaj tabele të komunikimit OJQ Instituti Kosovar për Logopedi do të krijojë një hapësirë ku të gjithë do të mund të ndërveprojnë dhe të argëtohen në një hapësirë lojërash gjithëpërfshirëse. Lehtë për t’u kuptuar, sistemi përdor piktograme që përfaqësojnë njerëz, emocione ose veprime që lidhen me parkun”, ka bërë të ditur Uka-Rexha.
Ajo theksoi se këndet e lojërave janë një vend i mrekullueshëm për fëmijët për t'u lidhur me bashkëmoshatarët dhe për të bërë miq, derisa bëri të ditur se kjo iniciativë do vazhdojë edhe në shumë parqe të tjera në Kosovë.























