Çerdhet private të parapëlqyera nga prindërit|Video
Qëndresa Duraku/ RTK
Është ora 7 e mëngjesit, kohë kjo kur prindërit fillojnë t`i dërgojnë fëmijët e tyre nëpër kopshte. Prindërit të cilët fëmijët e tyre po i dërgojnë në institucionet parashkollore private, thonë se kanë disa arsye pse parapëlqejnë t`i dërgojnë në kopshte private para atyre shtetërore.
"Arsyeja e parë është për shkak të kushteve të cilat janë shumë më të mira te çerdhja aktuale në krahasim me publike që do të thotë për shkak të aktiviteteve që i kanë gjatë ditës që na i përcjellim përmes aplikacioneve për mes fotove, e dimë planin e aktiviteteve, të ushqimit krejt komplet që të publiket, unë kam hezituar", tha Besart Pacolli, prind.
"Besoj që i plotësojnë të gjitha kushtet, i kanë kushtet më të mira normalisht, kanë higjienën më të mirë, ushqimin më të mirë po ashtu edhe d.m.th. lodrat apo aktivitetet që i bëjnë i kanë më kualitative", Gent Limani, prind.
Mirëpo, nuk janë të pakta rastet kur kopshtet private operojnë jashtë standardeve dhe pa licencë e që nga Asociacioni i Institucioneve Parashkollore Private, thonë se fajtor janë vetë prindërit ata të cilët i dërgojnë në këto kopshte.
"Derisa kopshtet private ato të cilat janë të licencuara dhe në Kosovë operojnë edhe ato të pa licencuara, këto të fundit nuk i plotësojnë kriteret të cilat nuk aplikojnë për një dokument të tillë siç është licenca. Ka edhe nëpër banesa nëpër objekte banesore në kuadër të banesës që operojnë”, Gëzime Rexhepi Çollaku, udhëheqëse e Asociacionit të Institucioneve Parashkollore Private.
"Unë e di vetëm për ato që ato kanë licencë derisa ato që nuk kanë licencë është e mundur që punojnë edhe në kuadër të objekteve banesore, brenda banesave ku Ministria e Arsimit e ka të pamundur me i identifikuar dhe unë mendoj që përgjegjësia që fëmijët të vijojnë nëpër këto çerdhe që nuk kanë licencë të lëshuar nga organet kompetente i bije vetëm prindit", shtoi ajo.
Nga Ministria e Arsimit thonë se në Kosovë janë të licencuara 205 çerdhe private. Inspektimet bëhen nga Inspektorati i Arsimit, ndërkaq Divizioni për Arsim Privat, në MASHT, realizon inspektimet informuese dhe këshilluese.
Sa i përket mosrespektimit të kushteve për licencim të institucionit, kjo është kompetencë e Inspektoratit. Në procedurë të licencimit janë 20 institucione parashkollore, çerdhe dhe kopshte" thuhet në njoftimin e ministrisë së Arsimit.
RTK ka provuar të marrë informata nga Inspektorati i Arsimit, por këta të fundit nuk ishin të qasshëm.























