Ka filluar fushata parandaluese e fruthit|Video
Besjana Mulaj/ RTK
Njëzet mijë raste të Fruthit janë shënuar në Evropë gjatë vitit 2022, kjo si pasojë e mosvaksinimit të fëmijëve me vaksinën kundër kësaj sëmundje.
Përfaqësuesit e Organizatës Botërore të Shëndetësisë thonë se në rënien e vaksinimit kanë ndikuar dezinformatat se vaksinat mund të shkaktojnë efekt anësore shëndetësore.
Institucionet shëndetësore në vend kanë filluar me fushatë parandaluese të fruthit, ku stafi mjekësor i telefonon prindërit e fëmijëve të pavaksinuar.
"Po ju thërrasim që me sjell fëmijën tuaj për vaksinim sepse ne vendet e rajonit ka filluar me u shpërnda fruthi, fëmija juaj nuk e ka marrë vaksinën kundër fruthit, andaj duhet me sjellë" , ftohen kështu prindërit e fëmijëve, që e kanë tejkaluar datën e marrjes së vaksinës kundër fruthit.
Me qëllim të parandalimit të sëmundjes virale të fruthit, stafi mjekësor i Qendrës kryesore të Mjekësisë Familjare, në Prishtinë, brenda ditës telefonon deri në 100 prindër, që t'i sjellin fëmijët për vaksinim.
"60 për qind e fëmijëve e kalojnë me një temperaturë dhe me një pneumoni dhe ekzantema derisa një numër më i madh e përjetojnë me komplikime, me pneumoni dhe më shqetësues është komplikimi i sistemi nervor qendror dhe më e keqja është që dy fëmijë në 1000 fëmijë të infektuar mund të përfundojnë me fatalitet, prandaj është shumë shqetësues që fruthin e kemi në Evropë .......", tha Edita Goranci- Haxhiu, zyrtare profesionale e imunizimit.
Sipas statistikave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, gjatë vitit 2022 në Evropë janë shënuar rreth 20 mijë raste, ndërsa në Kosovë ende nuk është shënuar asnjë rast, por duhet të parandalohen.
"Nuk kemi asnjë dëshmi që vaksina kundër fruthit ka shkaktuar efekte anësore shëndetësore, kjo vaksinë është shumë e sigurt, deri më tani nuk ka asnjë dëshmi shkencore që e shkaktojnë autizmin, kështu që është shumë më mirë me marrë vaksinën që e parandalojnë sëmundjen dhe vdekjen”, tha Oleksander Martynenko, Shef i zyrës së OBSH-së, në Kosovë.
Vaksina kundër fruthit jepet në moshën 1 dhe 6 vjeç.























