Fushë Kosova përballet me reduktime të furnizimit me ujë të pijshëm
J.Musliu/RTKlive
Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” ka filluar të aplikojë reduktime të furnizimit me ujë të pijshëm, për disa lagje të Prishtinës, por edhe Fushë Kosovës.
Shkak për këto reduktime janë reshjet e shumta të shiut të cilat kanë rritur sasinë e ujit të turbullt dhe pamundësinë e kompanisë për të kryer pastrimin.
Reduktimet kanë filluar të premten në mbrëmje dhe sipas KRU “Prishtina” do të vazhdojnë edhe të shtunën.
Kështu, sipas kësaj kompanie publike, gjatë ditës së sotme (e shtunë), reduktime të furnizimit me ujë të pijshëm do ketë në Fushë Kosova.
Kështu, furnizim me ujë, banorët e kësaj komune kanë pasur sot nga ora 06:00 deri në orën 10:00 kurse reduktime do të kenë nga ora 10:00 deri në orën 17:00.
Pastaj, furnizimi me ujë të pijshëm do të kthehet nga ora 17:00 deri në orën 22:00, për t’u rikthyer sërish reduktimet nga ora 22:00 deri në orën 06:00.
Gjithashtu, reduktime të furnizimit me ujë të pijshëm do të ketë edhe lagjia “Kodra e Trimave” dhe atë nga ora 23:00 deri në orën 05:00.
KRU “Prishtina” deklaron se varësisht nga situata me turbullirë, stabilizohet edhe gjendja me furnizim me ujë.
Përndryshe, reduktimet e tilla janë të shpeshta. Në fakt ato aplikohen edhe kur ka thatësirë, por edhe kur ka reshje të shumta të shiut.























