RTK me ndihmën e JICA-s, hapi Zyrën Rajonale në Mitrovicë|Video
BKT
Foto: RTKlive
Kosovë

RTK me ndihmën e JICA-s, hapi Zyrën Rajonale në Mitrovicë|Video

J.Musliu/RTKlive

Pas hapjes së Zyrës Rajonale në Prizren, tanimë RTK ka hapur sot edhe Zyrën Rajonale në Mitrovicë. Me hapjen e këtyre dy zyrave, RTK do të jetë edhe më shumë pranë publikut për të mbuluar çështje e tema të ndryshme.

Stafi i përbërë nga gazetarë, kameramanë e montazherë që do të jenë pjesë e kësaj zyreje, do të mbulojnë të gjithë rajonin e Mitrovicës, duke përfshirë komunat Skenderaj, Vushtrri, Mitrovicë Jugore, Mitrovicë Veriore, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan.

Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, deklaroi se hapja e saj është shumë me rëndësi, sepse jo vetëm që do të mbulojë këtë zonë si hapësirë gjeografike të madhe, por do të mbulojë edhe një diversitet etnik e kulturor.

Ai tha se është e rëndësishme që transmetuesi publik të jetë sa më afër qytetarëve, me të gjitha zhvillimet.

“Prandaj duke pasur ekipet tona të përditshme në këtë rajon, ne do të përmbushim më lehtë misionin tonë”, tha Ahmetxhekaj.

Më tej, kreu i RTK-së tha se kjo arritje nuk do të ishte e lehtë pa partnerët nga JICA të cilët kanë ndihmuar në vazhdimësi, e madje jo vetëm në këtë projekt, por që nga themelimi i RTK-së në vitin 2000.

Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së rikujtoi se me zhvillimet e fundit tekonologjike, është shumë e rëndësishme për RTK-në që të jetë aty ku ndodh lajmi, duke mos lënë anash edhe transmetimin e  ngjarjeve të ndryshme kulturore e sociale.

“Përveç hapjes së zyrës, JICA ka ndihmuar përgjatë tri viteve të fundit edhe me trajnimin e stafit, duke përfshirë edhe trajnime të ndryshme në Japoni”, duke rikujuar se trajnimi radhës do të mbahet në muajin qershor në Tokio.

Ai tha se kjo është dëshmi që partneriteti me JICA-n është i jashtëzakonshëm. ”Shpresoj që si i tillë do të vazhdojë”, tha Ahmetxhekaj.

Ndërkaq, drejtori i JICA-s për rajonin e Ballkanit, Masahiro Ueki, në emër të kësaj agjencie, përgëzoi RTK-në për hapjen e kësja zyreje.

Ai tha se JICA beson se për të siguruar demokracinë e paqen, është themelore për të siguruar që të ketë media që ofrojnë informacione të drejta e të sakta.

“Në këtë pikë, presim që roli i transmetuesve publik të bëhet edhe më i rëndësishëm pasi kohëve të fundit vërehet përhapje e lajmeve të rreme”, tha ai.

Më tej, Ueki rikujtoi se nga viti 2015, JICA filloi fazën e parë të projektit  për zhvillimin e  kapaciteteve në RTK, për të promovuar dialogun ndëretnik dhe ka furnizuar paisje, i përmbyllur me sukses në vitin 2017.

Ndërkohë, ai tha se faza aktuale e projektit ka filluar në shkurt 2021, duke transmetuar programe të ndryshme të balancuara etnikisht.

Drejtori i JICA-s për Ballkanin, u shpreh se projekti ka mundësuar hapjen e zyrës në Prizren,  në qershor 2022, kurse tani me zyrën në Mitrovicë, RTK do të ofrojë program të balancuar etnikisht, të sakt e të drejtë.

Hapja e të dy zyrave është mbështetur nga Agjencia e Japonisë për Zhvillim Ndërkombëtar-JICA.


MË SHUME NGA Kosovë