FSK-ja fillon operacionet e deminimit
F. Sertolli / RTKlive
Kompania e Deminimit e Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka filluar operacionin e deminimit humanitar për pastrimin e fushave të minuara dhe fushëbetejave, duke u bazuar në planifikimet për vitin 2023.
Përmes një njoftimi për media, bëhet e ditur se për të filluar me operacionet, pjesëtaret e Kompanisë së Deminimit (KOMPDEM), kanë ndjekur trajnime rifreskuese për procedurat e punës, trajnim certifikues për pjesëtaret e rinjë që janë bërë pjesë e kësaj kompanie si dhe kanë bërë përgatitjen dhe inspektimin e pajisjeve që do përdorën në operacione.
Sipas njoftimit, gjatë këtij viti, njësitë e deminimit do të punojnë në 4 lokacione të ndryshme të Republikës së Kosovës dhe gjithashtu ekipet e EOD-së do të ofrojnë kujdestari 24/7 për largimin e mjeteve të pashpërthyera që mund të hasen nga qytetarët.
“Forca e Sigurisë së Kosovës është e përgatitur profesionalisht dhe e gatshme që t’u dal në ndihmë qytetarëve të vendit me gjitha kapacitetet e saj kurdo dhe kudo që kërkohet”, thuhet në njoftim.























