Punëtorët e “Pastrimit” në protestë, kërkojnë rritje pagash|Video
Valjete Shala / RTK
Në protestë sot ishin edhe punëtorë të kompanisë `Pastrimi`. Ata kërkuan paga më të larta dhe kushte më të mira të punës. Protesta e tyre la kryeqytetin pa shërbimin e largimit të mbeturinave derisa nga kompania u zotuan që muajt e ardhshëm të ketë ngritje të pagave.
Shumë kontejnerë në rrugët e kryeqytetit të hënën ishin të stërmbushur. Në fakt, protesta e punëtorëve të kompanisë “Pastrimi” e la Prishtinën pa shërbimin e përditshëm të largimit të mbeturinave.
Ilaz Rexhepi, i cili tash e 9 vjet punon në këtë kompani këtë ditë nuk punoi si zakonisht. Paga prej 330 euro, të cilën ai e konsideron të ulët për standardin e lartë të jetesës, bëri që ai dhe dhjetëra punëtorë të tjerë të protestojnë para kësaj kompanie.
“Është telashe shumë e madhe me këto çmime. Nisur prej ushqimeve bazike si vezet, vaji etj. Plus kemi edhe shpenzime tjera të përditshme", i tha RTK-së, Ilaz Rexhepi.
Përveç vështirësive financiare, punëtorët e kësaj kompanie thonë se po përballen edhe me kushte jo të mira të punës.
“Kamionët janë të vjetër, jo të mirëmbajtur. Ka edhe pa frena, tmerr është”, tha Faton Krasniqi, shofer në këtë kompani.
Ndërkaq, Florim Cakiqi, kryetar i Sindikatës se punëtorëve të “Pastrimit” pas një takimi pothuajse dy orësh me Bordin e kompanisë, tha se nuk kishte një marrëveshje.
“Si pasojë e gjendjes financiare të kompanisë kemi kërkuar rritje simbolike. Kemi kërkuar prej 330 me u ngrit nga 70 euro. E gjithë kjo rritje kap vlerën mujore 55 mijë euro. Ata dhanë alternativa tjera sikurse 30 euro rritje etj..", tha Cakiqi.
Nga kompania “Pastrimi”, në një komunikatë për media, thanë së Menaxhmenti i Kompanisë dhe Bordi i Drejtorëve u zotuan që muajve të ardhshëm të ketë ngritje të pagave në bazë të mundësive të krijuara me kontratën e re të nënshkruar në mes të Komunës së Prishtinës dhe Kompanisë “Pastrimi”.
Në anën tjetër, Sindikata e Pavarur e Punëtorëve këmbëngul që ngritja të bëhet menjëherë dhe sipas kërkesës se tyre.