Identifikohen rreth 4 mijë qen endacakë në Prishtinë
Kosovë

Identifikohen rreth 4 mijë qen endacakë në Prishtinë

Arbenita Marmullaku / Radio Kosova

Qytetarët po ndihen të rrezikuar tash e një kohë nga qentë endacakë në Kosovë, sidomos në kryeqytet.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës ka identifikuar rreth 4  mijë qen të cilëve u janë vendosur mikroçipat apo i kanë regjistruar. E Komuna e Prishtinës është në përfundim të objektit i cili do të shërbejë për trajtimin e qenve endacakë.

Prania e qenve endacakë nëpër rrugët e Kosovës është bërë shqetësuese. Qytetarët, madje shumë herë janë ndier të rrezikuar por edhe të sulmuar nga ta.

Një qytetar i Prishtinës, Driton Limani, thotë se komuna duhet marrë iniciativë për strehim të këtyre qenve.

“Kam hasur në shumë situata me qentë endacakë e sidomos në kohë dimri kur ata janë të uritur dhe sulmojnë. Komuna e Prishtinës duhet jo vetëm t’i trajtojë por edhe t’i strehojë qentë endacakë”, tha ai.

E, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës që nga viti i kaluar ka filluar vendosjen e mikroçipave dhe regjistrimin e qenve, qoftë endacakë apo ata me pronarë. Ky projekt do t’i mbulojë të gjitha shpenzimet për ata qytetarët që dëshirojnë të regjistrojnë qenin e tyre deri në fund të këtij vitit.

Kështu bëri të ditur për Radio Kosovën zëdhënësi i agjencisë. Lamir Thaçi, i cili tha se qytetarët kanë shprehur interesim në këtë drejtim.

 “Deri më tani janë rreth 4 mijë qen që janë identifikuar, regjistruar, pra  ua kanë  vendosur mikroçipat dhe pronarëve ua kanë dhënë dokumentacionet”, tha ai.

Ai tha se ky projekt që është implementuar para shumë vjetësh në vendet e BE-së, ku për qëllim kryesor ka ndalimin e shumimit të qenve endacakë si dhe rregullimin e aspektit juridik për qentë me pronarë. Thaçi tha se nuk dihet se sa është numri i saktë i qenve endacakë nëpër rrugë.

“Ne asnjëherë nuk jemi marrë me hulumtime për të përcaktuar numrin e qenve endacakë apo me pronarë. Ne do të identifikojmë e regjistrojmë të gjitha kafshët që lajmërohen nga pronarët e tyre”, tha ai.

Nga zyra për informim në Komunën e Prishtinës, përmes një përgjigje me shkrim, kanë bërë të ditur se objekti për trajtimin e qenve endacakë është në përfundim të punimeve. Dhe, pas përfundimit të tij, bazuar në procedura të tjera, do të bëhet funksionalizimi i objektit. Mirëpo, kjo qendër nuk do të jetë strehimore.

 

  


MË SHUME NGA Kosovë