Ekspozita, thirrje për drejtësi, për 1.133 fëmijë të vrarë në luftë
Visar Shatrolli/RTK
Serbia asnjëherë nuk ka kërkuar falje për krimet në Kosovë, ku në mesin e të vrarëve e të masakruarve janë edhe mijëra fëmijë.
Në një prej sallave të leximit në Bibliotekën “Hivzi Sylejmani”në Prishtinë qëndron e hapur ekspozita me gjësende personale të fëmijëve të vrarë e të zhdukur gjatë luftës.
Nga viti 2019, ekspozita është vizituar nga mijëra qytetarë, politikanë e diplomatë të huaj. Por nga Qendra e Dokumentimit kanë kërkuar institucionalizimin e kësaj ekspozite.
Në njërën prej sallave të leximit në bibliotekën “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë, studentë të drejtimeve të ndryshme, lexojnë literaturën e lëndëve për provimet që i presin.
Megjithatë, disa prej tyre e kalojnë kohën duke lexuar edhe libra që rrëfejnë për krimet serbe në Kosovë.
Madje, për ata që kanë lindur mbas luftës, sikurse Rina Krasniqi nga Prishtina, interesimi për të mësuar mbi atë çfarë ndodhi gjatë luftës është i madh.
Dokumentimi i krimeve serbe në letër është i rëndësishëm për gjeneratat e reja. "Kam lindur pas përfundimit të luftës në qershor të vitit 2000. Luftën nuk e kam përjetuar, por nuk do
të thotë që të mos i rikujtojmë ato momente të vështira të cilat i kanë përjetuar vendasit tonë, motrat tona e vëllezërit tanë”, thotë Rina Krasniqi, studente e mjekësisë.
Por, jo vetëm librat flasin për të bëmat e forcave serbe. Bodrumi i kësaj biblioteke është i mbushur me dëshmi e fakte të fëmijëve të vrarë.
Një dhomë xhami brenda kësaj hapësire përmban të gjithë peshën e gjësendeve, për të kujtuar e kërkuar të vërtetën për atë çfarë ndodhi 23 vjet më parë.
Rroba, fletore e vizatime të ndryshme janë disa prej sendeve personale të 1133 fëmijëve të vrarë e të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Këto dëshmi në këtë ekspozitë të përhershme në Bibloiteken “Hivzi Syelejmani”, janë për të gjithë ata që duan të dinë se çfarë në realitet kanë bërë forcat serbe gjatë luftë së fundit.
Mijëra vizitorë kanë pasur rastin ta shohin e prekin djepin e pesë motrave Berisha nga Hoça e Vogël.
Jeta e tyre u ndal në gjysmë, pasi forcat serbe bombarduan fshatin Nagavc ku ato u strehuan.
Aty humbën jetën 14 persona, në mesin e tyre 12 fëmijë. Këto janë vetëm disa prej gjësendeve të fëmijëve të vrarë. Ka edhe shumë të tjera, siç janë vizatimet e Alban Kukajt, përmes të cilave tregonte ëndrrën e tij që nuk iu plotësua kurrë.
Ai i pëlqente shumë vizatimet me ngjyra. Nga Qendra e Dokumentimit kanë kërkuar institucionalizimin e kësaj ekspozite, duke marrë për bazë numrin e madh të vizitorëve vendorë e ndërkombëtarë.
Që nga koha kur është hapur kjo ekspozitë në vitin 2019, mijëra qytetarë, politikanë e diplomatë të huaj e kanë vizituar dhe janë njoftuar me mesazhin e saj.
Në mesin e tyre edhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.