Dyshime në tenderin për rrugën A|Video
Kosovë

Dyshime në tenderin për rrugën A|Video

Besjana Mulaj /RTK

Dyshime janë ngritur edhe në kryeqytet rreth projektit të ndërtimit të Rrugës A. Rrjeti i organizatave joqeveritare “AVONET”, tha se Komuna e Prishtinës ia ka dhënë një tender në vlerë prej 8.4 milionë eurove biznesmenit Naim Sallahu, për të cilin thotë se është i dënuar për mashtrim dhe keqpërdorim në Prokurim Publik.

Por ndaj këtyre deklarimeve ka reaguar Komuna e Prishtinës e cila ka hedhur poshtë publikimin e AVONET-it, duke thënë se pronari i kompanisë ka dëshmuar se nuk ka qenë i dënuar për vepër penale.

Ndërtimi i Rrugës A konsiderohet ndër projektet më të mëdha për kryeqytetin. Madje në fund të shkurtit, Komuna e Prishtinës ka njoftuar se për ndërtimin e pjesës së parë të kësaj rruge ka përzgjedhur kompaninë “Sallahu”.

Mirëpo, rrjeti i organizatave joqevritare “AVONET” ka ngritur dyshimet se tenderi në vlerë prej 8.4 milionë eurosh i është dhënë biznesmenit Naim Sallahu, për të cilin thonë se ka qenë i dënuar me gjashtë muaj burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë për falsifikim të dokumentit zyrtar.

Këtë vendim Gjykata e kishte marrë më 30 mars të 2018-s, ndërkohë “AVONET” njoftoi se, sipas ligjit, operatori ekonomik që gjendet në listë të zezë, nuk ka të drejtë të marrë pjesë në kontratat publike për 10 vjet.

Dyshimeve të “AVONET” u është përgjigjur Komuna e Prishtinës, duke e quajtur të pasaktë publikimin e tyre. Në reagimin e komunës thuhet se përfaqësuesit e kompanisë me dokumente zyrtare e kanë dëshmuar se pronari i saj, sipas ligjit, asnjëherë nuk ka qenë i dënuar për vepër penale dhe ndaj tij nuk është duke u zhvilluar procedurë penale.

Mirëpo ndryshe thotë opozita.

“Kjo është një vazhdimësi e keqpërdorimeve që po ndodhin ne komunën e Prishtinës dhe tashmë prokuroria dhe policia e shtetit janë duke i hetuar tri ndërmarrje publike komunale, poashut më herët “AVONET” ka bërë një kallëzim penal ndaj prokurimit të Prishtinës dhe ky është keqpërdorimi i radhës për të cilin jemi njoftuar nga mediat dhe nga ato që kemi parë qëndrojnë plotësisht ato që kanë deklaruar “AVONET”, tha Gëzim Sfeqla, asamblist i VV ?së, në kuvendin komunal.

Projekti i Rrugës A pritet të nisë nga lagjja Mati duke e lidhur lagjen e spitalit me Kalabrinë, duke mundësuar daljen në magjistralen Prishtinë - Fushë Kosovë.


MË SHUME NGA Kosovë