Blakaj: Marrëveshja s’përfshinë mjaftueshëm çështjen e të pagjeturve
J.Musliu/RTKlive
Çështja e personave të pagjetur nuk është përfshirë sa duhet në propozim marrëveshjen e BE-së, në dialogun Kosovë-Serbi.
Ky është konstatimi që jep Bekim Blakaj, Drejtor Ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare për Kosovë, Bekim Blakaj.
I ftuar në magazinën informative “Lajmet e Fundit” në RTK, Blakaj deklaroi se FDH-ja ka kërkuar që kjo çështje të vendoset në prioritet edhe në kohën kur ishte dialog teknik mes Kosovës e Serbisë.
“Kemi kërkuar që pala kosovare të merret me këto tema, siç është ajo me personat e zhdukur e që palët të arrijnë marrëveshje për zbardhjen e fatit të tyre”, deklaroi Blakaj.
Ai u shpreh se edhe një çështje tjetër me rëndësi është mos vendosja e bashkëpunimt juridik sidomos mes Prokurorive Speciale për krimet e luftës mes Kosovës e Serbisë.
Sipas Blakajt, ky mos bashkëpunim ka bërë që të dyshuarit për krime lufte të kenë hapësirë për t’i ikur drejtësisë.
“Për fat të keq çështja e personave të pagjetur është përmendur në këtë propozim marrëveshje, por nuk jemi të kënaqur që kjo çështje nuk ka zënë vend të nevojshëm”, deklaroi Blakaj për RTK-në.
“Mendojmë se kësaj çështjeje është dashur t’i jepet rëndësi të veçantë”.
Blakaj deklaroi më tej se për këtë çështje është folur shumë nga palët e sidomos nga ajo kosovare, e që sipas së cilës, të pagjeturit do të jenë prioritet. “Por deri më tani nuk kemi vërejtur se kjo është duke ndodhur”.
Megjithatë, drejtori ekzekutiv i FDH për Kosovë, u shpreh se duhet pritur për të parë se si në planin përcjelles për zbatimin e marrëveshjes, do të jetë e saktësuar kjo çështje.
“Por sërish, ajo për ndjekjen e të dyshuarve që kanë kryer krime lufte, nuk përmendet askund në këtë plan”.
Sa i përket bashkëpunimit mes Kosovës e Serbisë, Blakaj tha se një i tillë sa i përket kapjes së të dyshuarve për krime të luftës, nuk ekziston, nëse merret për bazë bashkëpunimi në lidhje me këtë çështje mes Serbisë, kroacisë e Bosnje e Hercegovinës.
“Ka bashkëpunim mes Kroacisë, Bosnjes e Serbisë sepse kanë nënshkruar protokolle bashkëpunimi, por ato nuk kanë ndihmuar në akstradimin e personave”, thotë Blakaj për RTK-në.
Sidoqoftë, ai shprehet se secila palë është zotuar t’i gjykojë ata brenda shtetit të vet.
“Në disa raste ka pasur sukses sikurse 6 aktakuza të dorëzuara në Prokurorinë Speciale në Serbi. Ato janë dorëzuar në vitin 2021, e ku ato prova janë mbledhur nga Prokuroria Speciale e Bosnje e Hercegovinës”.
Megjithatë, ai tha se të gjitha këto gjykime janë kryer ndaj personave të nivelit të ulët dhe jo ndaj atyre që kishin përgjegjësi në nivele të larta gjatë luftës.