Llumnica: Nëse s’ka rritje pagash, me 3 prill punëtorët e KEK-ut në grevë
Foto: RTKlive
Kosovë

Llumnica: Nëse s’ka rritje pagash, me 3 prill punëtorët e KEK-ut në grevë

J.Musliu/RTKlive

Punëtorët e KEK-ut protestuan sot në Prishtinë duke kërkuar paga më të larta dhe kushte më të mira pune. Nexhat Llumnica, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të KEK-ut, deklaroi se ata nuk kanë kërkuar ndonjë shifër të caktuar të pagës, por kanë kërkuar që të diskutojnë për këtë çështje.

Ai tha se është tejkaluar plani i punës për vitin 2022 dhe KEK-u ka pasur shumë të ardhura si dhe ka pasur 10% eksport të energjisë elektrike.

Prandaj, duke u bazuar në të gjitha këto rezultate, Llumnica deklaroi se punëtorët e KEK-ut duhet të kenë një rritje të pagës.

“Në vitin 2021 kanë vdekur 35 punëtorë që ne dyshojmë se kanë humbur jetën si pasojë e kushteve të punës”, u shpreh Llumnica.

Ai rikujtoi se ka pasur rritje të pagave për të gjithë sektorët,  por jo edhe për punëtorët e KEK-ut.

“E meqë KEK-u qëndron mirë financiarisht, përse të mos ketë rritje të pagave. Për këtë kemi bërë kërkesë që një vit, por me 22 dhjetor të vitit të kaluar, drejtorët menaxhues na kanë thënë se përfundimisht nuk do të ketë rritje të pagave”, deklaroi kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të KEK-ut në një lidhje të drejtpërdrejtë në magazinën informative “Lajmet e Fundit” në RTK.

Llumnica u shpreh se drejtorët menaxhues  u kanë thënë se do të bëhet skemë e re e pagave, por sipas tij, ajo skemë e re ka pesë vite që nuk është bërë.

“Inflacioni është rritur e ne nuk po kërkojmë lëmoshë, por djersën tonë”.

Llumnica rikujtoi se energjinë elektrike e prodhojnë punëtorët nga puna që bëjnë e jo menaxhmenti i KEK-ut.

“Ata nuk duan të bisedojnë sepse paga e Drejtorit Menaxhues është rreth 3500 euro, pra është pesë herë  më e lartë se e punëtorëve prandaj përse ata duhet të flasin me ne?”, pyeti Llumnica.

“Ne nuk do të mbajmë më protestë por do të shkojmë në grevë. Nëse paga e marsit që merret deri me 3 prill nuk do të dalë me rritje, atëherë do të ketë grevë”.

Llumnica deklaroi se sa u përket kushteve të punës, sikur inspektorët  sigurisë të mos paguheshin nga KEK-u, por në mënyrë të pavarur, atëherë puna do të duhej të ndalej sepse punëtorët e KEK-ut  nuk kanë as pajisje pune.


MË SHUME NGA Kosovë