Kosova 23 vite pas çlirimi, ende pa datë për përkujtimin e dëshmorëve
Kosovë

Kosova 23 vite pas çlirimi, ende pa datë për përkujtimin e dëshmorëve

Pajtim Çuni /Radio Kosova

Dëshmorët dhe viktimat civile të rënë për liri gjatë luftës së fundit, nderohen në data të ndryshme të caktuara nga nivelet komunale.  Në nivel shteti ende nuk ka një datë për përkujtimin e tyre. Historianë dhe drejtues të Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve thonë se Kosova duhet të caktojë një datë me të cilën do të përkujtoheshin e nderoheshin të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës.

Në qershorin e sivjetmë Kosova i bënë 24 vite e lirë nga Serbia dhe regjimi i saj pushtues shumëvjeçar. Të rënët për çlirimin e Kosovës gjatë luftës së fundit; heronj, dëshmorë e martirë, përkujtohen në data të ndryshme në komunat e ndryshme të vendit.

Meriman Braha, ish i burgosur politik, thotë për Radio Kosovën se përkujtimi i të rënëve në shumë data, është i paarsyeshëm. Për këtë, ai thotë se është mirë të caktohet një datë përkujtimore e të rënëve për liri.

 “Është mirë të caktohet një datë, cila do që të jetë. A merret rënia e komandantit Adem Jashari, apo një datë tjetër. Por, është me rëndësi që me një datë të mblidhen njerëzit dhe atë datë ta kenë si ditë përkujtimesh të përgjithshme. Pra, krejt populli atë ditë mund t’i përkujtojë të gjithë, qoftë edhe duke vendosur një karafil, mund t’i nderojë mijëra njerëz të vrarë për liri”, tha Braha.

Mungesa e një dite përkujtimore për dëshmorët, është e paarsyeshme, thotë kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari. Ai thotë se disa herë kanë kërkuar caktimin e një dite për dëshmorët. Si datë, Jashari thotë se kanë propozuar 5 majin, në të cilën ditë përkujtohen dëshmorët e kombit në Shqipëri e Maqedoni të Veriut.     

 “Disa herë kemi bërë kërkesë në parlament që të zyrtarizohet dita e dëshmorëve. Për ndryshe, ne e shënojmë si ditë të dëshmorëve edhe 5 majin, në përputhje edhe me luftërat e më hershme dhe rëniet e mëhershme para Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.                                Ne mendojmë se kjo do të ishte data më e mirë për të shënuar në unifikim me kombin nderimin e të rënëve nëpër periudha të ndryshme të historisë”, tha ai. 

Historian Sabit Syla po ashtu thekson se Kosova duhet të ketë një ditë përkujtimore për të gjithë ata që dhanë jetën për atdhe.

“Konsideroj se duhet të jetë një ditë e veçantë për të gjithë dëshmorët, heronjtë dhe martirët që kanë rënë në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-99, që ne t’i kujtojmë ata. Pra, të jetë një ditë e shënuar në historinë tonë kombëtare. Por, në këtë drejtim ne me të vërtetë kemi shumë çalime të mëdha”, tha ai.

Në Ligjin e Festave Zyrtare ku janë të përfshira ditët memoriali, 12 qershori është caktuar si dita e paqes. Këtu nuk ka një datë përkujtimore për dëshmorët dhe viktimat civilë të rënë për liri, gjatë luftës së fundit.


MË SHUME NGA Kosovë