Mesazhe kërcënuese ndaj gazetarit Selimi, reagojnë dy Sindikatat e RTK-së
J.Musliu/RTKlive/M.Miftari/RTKlive
Sindikata e Pavarur e RTK-së dënon ashpër mesazhet kërcënuese dhe zjarrvënien në shtëpinë e gazetarit Alban Selimi, duke e rrezikuar jetën e familjarëve të tij, të cilët ishin në shtëpi gjatë këtij akti kriminal.
“Ky veprim i shëmtuar cenon rëndë lirinë e gazetarëve për raportim profesional dhe në interes të publikut”, thuhet, mes tjerash, në reagimin e Sindikatës së Pavarur të RTK-së.
Tutje, SPRTK kërkon nga organet e drejtësisë që ta trajtojnë me seriozitet këtë rast në mënyrë që kryesit e këtij akti të shëmtuar të marrin dënimin e merituar.
Për rastin ka reaguar Bordi i RTK-së, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, si dhe Federata e Gazetarëve Evropianë.
Po ashtu edhe Sindikata tjetër e Punëtorëve e RTK-së, ka marrë me shqetësim të madh zjarrëvënien nga persona ende te panjohur në shtëpinë e gazetarit Alban Selimi, duke ja rrezikuar jetën dhe familjen e tij.
“Situata rendohet edhe me tej kur kërcënuesit shkruajnë mesazhe kërcënuese ndaj tij. Ai ditën e sotme ka marrë një mesazh me përmbajtje të rëndë në dyert e shtëpisë së tij. Ky veprim vjen pas kërcënimit që i njëjti mori ditë më parë me djegien e garazhit të shtëpisë së tij”, thuhet në reagimin e SPERTK-së.
Sindikata SPERTK kërkon nga Policia e Kosovës, që ta hetojnë këtë rast dhe kërcënuesit të dalin para drejtësisë.
Kjo Sindikatë vlerëson lartë punën e kolegut Selimi, dhe gjithë redaksisë të emisionit hulumtues "Udhëve" në RTK.
“Kërcënimet ndaj punës së gazetarëve nuk do të mund ti ndalin ata në raportimin e të gjitha ngjarjeve me interes për vendin tonë, pavarësisht nivelit dhe kush është i përfshire në to”, thuhet tutje në reagimin e SPERTK-së.
Gjithashtu edhe platforma “SafeJournalists”, e dënon ashpër sulmin ndaj kolegut Alban Selimi, teksa u bën thirrje autoriteteve që të hetojnë motivet e këtij sulmi.
Mesazhe kërcënuese ndaj gazetarit Alban Selimi, reagon Bordi i RTK-së
(E plotësuar) Një person është arrestuar nga policia si i dyshuar në lidhje me sulmin në shtëpinë e gazetarit të RTK-së, Alban Selimi.
Policia ka konfirmuar për RTK-në , arrestimin e një personi i cili është mbrojtur në heshtje.
Dy ditë më parë, shtëpisë së gazetarit të redaksisë së emisoneve hulumtuese “Udhëve” në RTK, është tentuar t’i vihet zjarri.
Përveç zjarrit, i dyshuari ka shkruar në dritaren e shtëpisë së gazetarit edhe një sharje e cila cilësohet si kërcënim dhe lë të nënkuptohet se sulmi ka të bëjë me punën e tij si gazetar.
Se sulmi dyshohet se ka të bëjë me punën e tij, e konfirmon edhe gazetari Selimi i cili organeve të rendit u ka deklaruar se nuk ka asnjë problem privat me asnjë person.
Në lidhje me këtë sulm dhë keto kërcënime ndaj gazetarit, ka reaguar të shtunën edhe Bordi i RTK-së.
“Bordi i RTK-së e ka pranuar me shqetësim lajmin për sulmin që është bërë ndaj shtëpisë së gazetarit të RTK-së Alban Selimi”, shkruan në këtë reagim.
Bordi rikujton se fakti që sot gazetarit i janë shkruar porosi në shtëpinë e tij, tregon se qëllimi i këtyre sulmeve është frikësimi i tij.
“Bordi i RTK-së kërkon nga organet kompetente që të merren me trajtimin e këtij rasti dhe kryerësit e këtyre veprave të vihen para drejtësisë”, shkruan në reagim.
“Bordi i RTK-së inkurajon të gjithë gazetarët e RTK-së që të vazhdojnë të raportojnë në mënyrë profesionale dhe objektive lidhur me të gjitha zhvillimet në vend”.
Në lidhje me këtë rast, ka reaguar ditë më parë edhe menaxhmenti i RTK-së, i cili duke kërkuar zbardhjen e rastit, ka theksuar se sulme të tilla janë të papranueshme.
Për rastin ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Federata e Gazetarëve Evropianë.