Përkujtohen dëshmorët dhe martirët e rënë në Kolinë
RTKlive
Në fshatin Kotlinë janë përkujtuar 14 dëshmorë dhe 15 martirë të rënë
Për këtë përkujtim u shfaq një program kulturo artistik i përgatitur me shumë kujdes nga nxënësit e këtij fshati, nga këngëtari kaçanikas dhe SHKA “ Sharri” Hani i Elezit.
Në manifestimin përkujtimor Kryetari i Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi, foli për luftën dhe sakrificën e kombit tonë.
Gjatë fjalës së tij ai tha se sot kujtojmë trimërinë dhe guximin e djemve dhe vashave të anës sonë, duke ardhur pikërisht në këtë vend për të marrë përgjegjësi, obligime e detyra të reja, e poashtu për të marrë energji krenarie.
Ilazi tutje shtoi se pranvera e vitit 1999 ishte një pranverë e brishtë, që ujiti lulet me gjakun e dëshmorëve dhe të martirëve, duke shtuar se çdo pëllëmbë e kësaj toke është histori në vete.
Në emër të këshillit organizues foli Jeton Kuqi, kurse në emër të OVL-së së UÇK-së foli Xhabir Elezi.
Pranë lapidarit të ngritur dhe te vendi i rënies janë vendosur kurora lulesh e po ashtu, kurora lulesh janë vendosur te Kompleksi Memorial i Dëshmorëve dhe janë bërë homazhe.
Në Kotlinë, në luftimet e 9 marsit të vitit1999, ranë dy dëshmorë si dhe u djeg një pjesë e shtëpive të fshatit, ndërsa më 24 mars të vitit 1999, në mënyrën më çnjerëzore u vranë 26 kotlinas, prej tyre 11 dëshmorë dhe 15 martirë ndërkaq më vonë karvanit të dëshmorëve nga ky fshat iu shtua edhe një dëshmor i cili ra në luftimet në kufirin shqiptaro-shqiptar, në Koshare.