Gjimnazistët ferizajas protestojnë për mungesë të kushteve
BKT
Kosovë

Gjimnazistët ferizajas protestojnë për mungesë të kushteve

Driton Ramadani | RTK

Kushtet e rënda për zhvillimin e mësimit bënë që disa nxënës të shprehin shqetësimet përmes një proteste gjatë kohës së pushimit të gjatë në gjimnazin shoqëror “Shaban Hashani” në Ferizaj.

“Arsyeja e këtij organizmi është për shkak të kushteve të shkollës. Kushtet nuk janë hiq të mira. Ky objekt nuk i plotëson kushtet për mësim. Nuk kemi tualete, nuk kemi tabela, nuk ka karrige për të gjithë nxënësit. Një kompjuter e kemi për 1.300 nxënës. Kemi gjetur minj nëpër klasa. Na mbyti era e mykut, pasi ka lagështi shumë, dmth kushtet janë katastrofë”, ka theksuar Jona Sefedini, nxënëse e klasës së 10-të.

Për këtë organizim drejtoria e shkollës por edhe organet e tjera thanë se nuk ishin të informuar, gjë që ndikoi që nxënësve të mos u lejohej dalja jashtë objektit. Nga drejtoria e shkollës e pranuan se duhen shumë investime në këtë shkollë për shkak të objektit të vjetër. Mirëpo ata nuk u pajtuan me formën përmes së cilës nxënësit vendosën të protestojnë. “Kemi investuar vetëm në ato çka janë më urgjente në shkollë. Nuk e kemi parë të arsyeshme sepse nuk ja vlen të investosh. Muret e dëmtuara, ujësjellësi, sistemi i rrymës, arkitektura e këtij objekti nuk është për shkollë”, ka thënë Hajrie Nebihu, drejtoreshë e këtij gjimnazi.

Ndërsa në drejtorinë e Arsimit në Ferizaj thanë se ndërtimi i objektit të ri për këtë shkollë ka filluar moti por që punimet janë ndërprerë për shkak të problemit me pronën dhe AKP-në. “Po besojmë që shumë shpejtë sepse jemi në proces të zgjidhjes së këtij problemi dhe do të na jepet leja edhe nga ministrit përkatëse por edhe nga AKP-ja dhe nga organet e tjera. Posa të na jepet mundësia do të fillojmë ta ndërtojmë shkollën e re, e cila pastaj po besojmë që do të jetë shumë shpejtë e gatshme dhe nxënësit e shkollës ‘Shaban Hashani’ do të kenë mundësin e kalimit në objektin e ri dhe me siguri që kushtet do të jenë shumë më të mira dhe të favorshme”, ka theksuar Afrim Llabjani, drejtor i arsimit në Ferizaj. Objekti i tanishëm i shkollës “Shaban Hashani”, ku më parë ishte shkolla fillore “Gjon Serreçi” është në listën e objekteve të trashëgimisë kulturore.


MË SHUME NGA Kosovë