1 vit e 6 muaj burg për ngacmim seksual
J.M/RTKlive
Gjykata Themelore në Gjakovë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit H.H, shtetas i Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, ai akuzohet për vepër penale “Ngacmimi Seksual”, e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjyqtari Sulltan Dobraj, pas mbajtës së shqyrtimit fillestar ku i pandehuri kishte pranuar fajësinë, e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim me burgim në kohëzgjatje prej një (1) viti e gjashtë (6) muaj.
I pandehuri H.H., akuzohet se me datë 8 mars 2023 rreth orës 15:00 minuta, në Rr. “Fan S. Noli” në Gjakovë, me dashje ngacmon seksualisht personat të cilat janë të ndjeshëm për shkak të moshës së tyre, me qëllim të cënimit të dinjitetit të dëmtuarave, fëmijëve.
Kjo është bërë në atë mënyrë që derisa të dëmtuarat ishin duke ecur në këmbë, në një moment e shohin të pandehurin, i cili ishte i zhveshur dhe bën me gjeste duke ekspozuar organin gjenital në drejtim të dëmtuarave.
Të gjendur në këtë situatë, të dëmtuarat ndërrojnë rrugën, por i pandehuri vishet dhe niset në drejtim të tyre.
Më pas të dëmtuarat të frikësuara kërkojnë ndihmën e një kalimtari të rastit, ku me të parë atë, i pandehuri largohet me vrap nga aty, ashtu që me këto veprime i pandehuri tek të dëmtuarat ka shkaktuar cenimin e dinjitetit dhe ka krijuar një mjedis frikësues.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej tridhjetë (30) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.