Policia apelon për kujdes në trafik pas reshjeve të mëdha të borës
B. H. / RTKlive
Policia e Kosovës u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve për kujdes të shtuar në trafik, pas reshjeve të mëdha të borës në këtë periudhë të pranverës në vendin tonë.
Një apel të tillë policia e ka bërë për shkak se tashmë shumica e automjeteve në trafik janë me goma të verës.
“Edhe pse jemi në stinën e pranverës dhe shumica e automjeteve në qarkullim mund të jenë me goma të verës, pas paralajmërimit se këtë javë gjatë natës dhe në orët e hershme të mëngjesit do të mbizotërojë mot me temperatura të ulëta (reshje të shiut, në lokacione të ndryshme mundësi për reshje bore, rrjedhje të ujit në rrugë e po ashtu edhe dëmtim i asfaltit dhe krijim i gropave), kërkohet nga shoferët që të shtohet kujdesi gjatë qarkullimit në rrugë, ku me rënien e temperaturave krijohen ngrica që rrezikojnë seriozisht pjesëmarrësit në trafik”, thuhet në apelin e Policisë.
Policia e Kosovës bazuar në kushtet meteorologjike apelon për kujdes të shtuar në trafik:
“Përqendrohuni maksimalisht gjatë drejtimit të mjetit! Mbani distancën e sigurt në mes mjeteve! Përdorni rripin e sigurisë! Respektoni kufizimet e shpejtësisë konform kushteve atmosferike të krijuara! Mos përdorni telefoni mobil gjatë ngasjes! Mos kryeni parakalime të ndaluara apo mos bëni manovra me mjet në rrugë!”, thuhet tutje në apelin e Policisë.
Ndërkohë, sipas meteorologëve mbi vendin tonë do të mbajë mot me reshje bore dhe me temperatura të ulëta edhe në ditët në vazhdim.























