Kushtetuesja u jep të drejtë PDK e LDK për ndryshimet e Ligjit për KPK-në
Jeton Musliu/RTKlive
Gjykata Kushtetuese ka vendosur ta shpallë të pavlefshëm në tërësinë e tij, Ligjin për Ndryshimin dhe Plotesimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Megjithatë, me këtë vendim, Kushtetuesja refuzon kërkesën për masën e përkohshme të kërkuar nga parashtruesit e ankesës.
Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese pason shqyrtimin e kërkesave të deputetëve të PDK-së e LDK-së, të cilat Kushtetuesja në këtë rast i ka bashkuar në një rast të vetëm meqë kishin për objekti shqyrtimi çështjen e njejtë.
Nga PDK, parashtrues ishte deputeti Abelard Tahiri dhe dhjetë deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga kjo parti si dhe atë me parashtrues deputetin Arben Gashi dhe dhjetë deputetë të tjerë nga LDK.
Me këto kërkesa kërkohej që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Bazuar në akvendimine Kushtetueses, Plotësim ndryshimi i Ligjit për KPK-në, është në kundërshtim me shumë nene Formën e Qeverisjes dhe Ndarjen e Pushtetit, Kompetencat e Kuvendit, Barazinë para Ligjit sipas Kushtetutës etj.
Më 1 korrik 2022, Ligji për Këshillin Prokurorial është dërguar për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.
Dy partitë opozitare, PDK-ja dhe LDK-ja, ndonëse një veprim të tillë e kanë bërë ndaras nga njëra-tjetra, kanë dhënë qëndrime të njëjta sa u përket ndryshimeve të bëra në ligj, e që, sipas tyre, janë në kundërshtim me Kushtetutën.
Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, pati thënë se Ligji për KPK-në cenon pavarësinë e sistemit prokurorial.
“Këshilli Prokurorial me ligjin e ri nuk mundet të ketë kuorum, as vendimmarrje në zgjedhjen e drejtuesve të pozitave të larta, të kryeprokurorit të shtetit, të prokurorëve të prokurorive themelore, kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, pa pjesëmarrjen e njerëzve të politikës, në këtë rast që dërgon mazhoranca që ka Kuvendi", pati thënë Tahiri.
"Kjo është e papranueshme. Kjo është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe jemi të bindur që një gjë të tillë do ta nxjerrë si në kundërshtim me Kushtetutën edhe vetë Gjykata Kushtetuese”.
Edhe LDK-ja kishte vlerësuar se amendamentet e Ligjit për Këshillin Prokurorial janë në kundërshtim ne frymën kushtetuese.
“Interferimet në Këshillin Prokurorial dhe në sistemin e drejtësisë në mënyrë politike janë jo të shëndetshme në demokraci, por edhe për pavarësinë e gjyqësorit qe po tentohet të sigurojnë në mënyrë demokratike dhe pa ndërhyrje dhe pa atë që e quajmë kapje institucionale të këtij institucioni të rëndësishëm”, pati thënë deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.
Ndryshimet në Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, janë miratuar më 23 qershor 2022, me 60 vota pro e një abstenim.























