Çeku: Bashkëpunimi me RTK-në është i natyrshëm
B. Halimi | RTKlive
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, gjatë debatit në Kuvendin e Kosovës në kuadër të shpalosjes së programit dyvjeçar të Qeverisë, ka folur edhe për Memorandumin e Bashkëpunimit me RTK-në.
“Bashkëpunimi i MKRS-së me RTK është shumë i natyrshëm për programacionin kulturor të RTK-së. Mbështetja financiare në këtë rast është për Festivalin e Këngës, ndërsa në atë memorandum janë rregulluar edhe aspektet e tjera të bashkëpunimit mes dy institucioneve për mbulimin e punëve të institucioneve të kulturës, duke filluar nga teatri, filarmonia, baleti, ansambli Shota etj”, ka theksuar ministri Çeku, duke iu përgjigjur deputetes së PDK-së, Eliza Hoxha. Kjo e fundit tha se RTK-së iu ka ulur buxheti për 2.7 milionë dhe nëse ka pasur nevoja të theksuara për kanalin i cili i dedikohet kulturës apo për çfarëdo tjetër në aspektin programor është dashur të planifikohet dhe të miratohet në këtë Kuvend e jo përmes Memorandumit të Bashkëpunimit të MKRS-së me RTK-në.
Ndërsa sa i përket bashkëpunimit me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, që po ashtu si çështje e ngriti deputetja Hoxha, ministri Çeku tha se ka të bëjë me shërbime profesionale, të cilat i kontrakton ministria.
“Përndryshe do t’i kontraktonim kompanitë private sepse edhe ajo mundësi ekziston, por ne besojmë në fuqizimin e UP-së sepse aty është baza e dijes dhe trurit. Pra, pse mos të angazhohen njerëzit e UP-së për t’i ofruar shërbime profesionale MKRS-së. Në fakt, nuk e kuptoj ku është dilema këtu”, ka theksuar Çeku.























