KMDLNJ: Diskriminuese dhe raciste, marrëveshja për burgje me Danimarkën
J.M/RTKlive
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut përmes një reagimi ka thënë se marrëveshja për transferim të të burgosurve danezë në Kosovë është diskriminuese dhe raciste.
“Prej kohës kur është nënshkruar marrëveshja midis Danimarkës dhe Kosovës, autoritetet daneze kanë pasur kohë të mjaftueshme sikur edhe mundësi të mëdha materiale ta ndërtojnë një burg në Danimarkë apo të përshtatin një objekt ku do t’i vendosnin të dënuarit, asnjëri nga ta shtetas i Danimarkës”, deklaron KMDLNJ.
“Por qëllimi është se qartazi nuk duan të merren me ta, prandaj ua shesin Kosovës për një afat 10 vjeçar, me një kompensim 210 milionë euro që kur të përpjesëtohet dhe hiqen investimet del të jetë një shumë e papërfillshme”.
Ky këshill tha se me këtë marrëveshje, humbësit më të mëdhenj do të jenë personat e privuar nga liria në Kosovë.
“Me këtë marrëveshje humbësit më të mëdhenj do të jenë personat e privuar nga liria në Kosovë që, as për së afërmi nuk do të trajtohen sikur të burgosurit e importuar nga Danimarka, në asnjë aspekt”, thekson KMDLNJ.
“Në aspektin afatgjatë, Shërbimi Korrektues i Kosovës do të jetë humbës i padiskutueshëm sepse për shkak të dallimeve jonormale të trajtimit brenda një sistemi unik juridik të një vendi, këta do të përballen me revoltën e të dënuarve vendas”.























