Halimi: Vrasja në Pejë, alarm për këtë shoqëri e këto institucione
BKT
Kosovë

Halimi: Vrasja në Pejë, alarm për këtë shoqëri e këto institucione

B. H. / RTKlive

Sibel Halimi, zëdhënëse e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka shprehur shqetësimin e saj për rritjen e dhunës dhe vrasjeve në shoqërinë kosovare, duke theksuar se nuk po ndërmerren hapa për të luftuar këtë plagë shoqërore.

Duke reaguar pas vrasjes së sotme në Pejë, ku një person dyshohet se vrau nënën e tij, ajo ka kërkuar nga institucionet e shtetit të marrin masa të menjëhershme për të parandaluar dhe luftuar dhunën në familje, duke e cilësuar atë si një problem strukturor brenda psikologjisë shoqërore.

“Tashmë nuk kemi të bëjmë me raste të izoluara, por për një plagë shoqërore thellësisht strukturore të dhunës së fshehur brenda psikologjisë shoqërore. Nga gjuha denigruese e misogjene deri te vrasjet, ky është realiteti. Por fatkeqësisht po na mungon adresimi, ndëshkimi dhe përkrahja e viktimave”, ka shkruar ajo në Facebook.

Ajo ka theksuar se rasti i vrasjes së një gruaje në Pejë është alarm për shoqërinë dhe institucionet.

“Rasti i vrasjes së gruas në Pejë, të dridh në shpirt; alarm për këtë shoqëri e këto institucione, që të lëvizin nga parimi i dënimit verbal të rasteve në rrjete sociale e media. Në të kundërtën dhuna dhe vrasjet kanë filluar të shndërrohen në përditshmëri deri në normalizim”, ka shtuar Halimi.

 


MË SHUME NGA Kosovë