Shtohen rastet e dhunës në familje në rajonin e Ferizajt|Video
Driton Ramadani / RTK
Dhunë në familje u raportua në Ferizaj ku policia njoftoi se një femër dhe një mashkull të fejuar, pas një mosmarrëveshjeje janë përleshur mes vete. Të njëjtit kanë pranuar tretman mjekësor dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt. Rastet e dhunës në këtë rajon kanë shënuar ngritje, sipas statistikave të policisë.
Dhuna në familje si dukuri, vitet e fundit është duke u shprehur në një numër më të madh. Shumë raste sipas policisë së Ferizajt janë në këtë komunë dhe katër të tjera përreth saj.
“Gjatë viti 2023, janar, shkurt, mars në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Ferizajt janë raportuar 60 raste të dhunës në familje. Në janar kemi pasur 22 raste, në shkurt 21 raste dhe në mars deri më tani 17 raste”, thotë Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt.
Sipas koordinatorit rajonal të policisë për rastet në dhunë në familje qytetarët kanë fituar besim te policia dhe rastet po raportohen.
“Duke u bazuar në statistikat vjetore të cilat në i bëjmë dhe i ruajmë ne kemi vlerësuar dhe analizuar se qytetarët kanë besueshmëri më shumë në Policinë e Kosovës dhe i raportojnë çdo rast dhune në familje nga viti 2021-2022-2023 është në rritje, por vlerësohet gjithmonë besueshmëria tek policia dhe vetë besimi i viktimave që ta raportojnë rastin dhe mos ta durojnë dhunën”, tha Behxhet Krasniqi, Koordinator rajonal i rasteve të dhunës në familje nga sektori i hetimeve rajonale të policisë.
Psikologët thonë se në dhunën familjare ndikojnë disa faktorë.
“Faktori kryesor është faktori ekonomik, pastaj është ajo se çifti para martesës nuk i përcaktojnë kushtet ose limitet që duhet të jenë në jetën bashkëshortore. Përveç kësaj shoqërisë i mungon një mekanizëm institucional për barazinë gjinore si dhe përpjekja për ndërgjegjësim dhe parandalim të dhunës në familje”, thotë Flora Abdullahu, psikologe.
Policia e Kosovës ka apeluar te të gjithë qytetarët që rastet t`i paraqesin dhe ato të mos heshtën.























