Sveçla: Hetim ndaj zyrtarit të MPB-së që shfrytëzon parkingun për biznes
BKT
Foto: RTKlive
Kosovë

Sveçla: Hetim ndaj zyrtarit të MPB-së që shfrytëzon parkingun për biznes

J.M/RTKlive

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi se  ka kërkuar hetim ndaj zyrtarit të kësaj ministrie, Riza Alshiqi.

Këtë hetim ai tha se ka kërkuar për shfrytëzim të parkingut të pronës së këtij institucioni për parkim të veturave me qira.

“Si Ministri e Punëve të Brendshme, por edhe si Qeveri, jemi angazhuar maksimalisht që të gjithë shërbyesit civilë të jenë në nivelin më të lartë të detyrës, por edhe ndaj të gjithë keqpërdoruesve të detyrës zyrtare kemi vepruar pa asnjë mëdyshje”, shkroi Sveçla.

“Mbi 300 zyrtarë publikë janë arrestuar nga Policia e Kosovës për mënyra të ndryshme të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”, shkruan në statusin e ministrit Sveçla.

Sveçla shkroi në Facebook të dielën se do të iniciojë auditim të jashtëzakonshëm për shfrytëzimin e këtij parkingu, derisa tha se edhe Komisioni Disiplinor i MPB-së duhet të angazhohet për t'i identifikuar shkeljet.

Reagimi i ministrit Sveçla, pason raportimin e “Betimit për Drejtësi”, që publikoi një hulumtim të shtunën, sipas të cilit  Alshiqi, zyrtar i lartë për monitorimin e transportit, krahas punës në ministri, si punë sekondare bën biznesin me dhënie të veturave me qira. Për më tepër, për këtë, ai po e shfrytëzon pronën e shtetit.


MË SHUME NGA Kosovë