Fuqia e zbehtë politike mund të sfidojë punën e kryetarëve në veri
Pajtim Çuni/Radio Kosova
Pjesëmarrja e ulët e qytetarëve në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në katër komunat në veri të Kosovës do të mund të sfidojë punën e kryetarëve të rinj të zgjedhur. Sipas politologëve, kryetarët shqiptarë të komunave veriore mund të kenë telashe në ushtrimin e kompetencave, madje që nga dhënia e betimit apo edhe formimi i ekzekutivëve komunalë.
Ndonëse me pjesëmarrje minimale votuesish, zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në katër komunat në veri përfunduan pa incidente. Të njëjtat po cilësohen legale nga autoritetet kosovare dhe përfaqësitë diplomatike në Prishtinë.
Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, katër komunat e banuara me shumicë serbe i fituan kandidatët e partive shqiptare. Me vetëm 100 vota, garën për kryetar në Leposaviq e fitoi Lulzim Hetemi i Vetëvendosjes. Bashkë-partiaku i tij, Erden Atiq, fitoi Mitrovicën e Veriut, me 519 vota. Postin e të parit të Zubin Potokut e fitoi Izmir Zeqiri i PDK-së me 196 vota. Ndërsa, në Zveçan, ku në mesin e tre kandidatëve ishte edhe Sladjana Pantoviç, zgjedhjet i fitoi kandidati i PDK-së, Ilir Peci, me 114 vota.
Edhe pse kandidatët fitues janë zgjedhur në mënyrë legale, fuqia e tyre politike e zbehtë do të ndikojë në situatën praktike në terren. Një gjë të tillë e tha për Radio Kosovën profesori universitar, Dritëro Arifi.
“Kandidatët fitues kanë fuqi ligjore dhe kushtetuese që është e drejtë e çdo kryetari që zgjidhet në këtë formë. Por, a përfaqësojnë vullnetin e shumicës së komuniteteve që jetojnë në ato komuna, kjo besoj se nuk do shpjegim”, thotë analisti Dritëro Arifi.
“Prandaj, besoj se këto zgjedhje do të prodhojnë një marrëveshje politike që edhe komuniteti serb të integrohet në institucionet e Republikës së Kosovës”, shprehet ai.
Tutje, Arifi thotë se për gjetjen e një zgjidhje politike, dialogu me serbët është i nevojshëm, e pala serbe duhet të kuptojë se pa participimin në gjetjen e zgjidhjes, nuk mund t’i gëzojë të drejtat që i kanë të garantuara.
Edhe politologia Arta Tahiri-Beqa thotë se fuqia e zbehtë politike e kryetarëve të zgjeshur do të sfidojë punën e tyre në komunat veriore.
“Fuqia e tyre politike që është mjaft e zbehtë do të mund të bëjë të pamundur zbatimin e kompetencave të kryetarëve. Që në formimin e ekzekutivit do të mund të hasin në pengesa, siç ndodhi që nuk mund të realizohen zgjedhjet në disa shkolla, ndonëse ato ishin në territorin e Kosovës”, deklaron Arta Tahiri-Beqa.
“Sfida mund të kenë edhe kur ata duhet të japin betimin si kryetarë të komunave”.
Katër komunat në veri të vendit; Zveçani, Zubin Potoku, Leposaviq dhe Mitrovica e Veriut, ishin pa kryetarë që nga 5 nëntori kur dhanë dorëheqje kryetarët e deriatëhershëm që vinin nga radhët e Listës Serbe.























