Peci: Me ndërtimin e digës për ujitje trefishohet prodhimtaria bujqësore
BKT
Kosovë

Peci: Me ndërtimin e digës për ujitje trefishohet prodhimtaria bujqësore

M.Miftari/RTKlive

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, qëndroi për vizitë në fshatin Shipashnicë e Poshtme të komunës së Kamenicës, vendin ku për pak javë do të fillojë të ndërtohet diga për ujitje të tokave bujqësore, projekt ky i cili do të kushtojë rreth 300 mijë euro e që konsiderohet të jetë një ndër projektet më të rëndësishme në sektorin e bujqësisë që nga paslufta.

Ministri Peci tha se me realizimin e këtij projekti prodhimtaria bujqësore prej vitit të ardhshëm do të trefishohet. “Bëhet fjalë për ndërtimin e digës në njërin prej lokaliteteve të Kamenicës, në të cilën do të mundësohet futja në sistem të ujitjes e rreth 570 hektarëve me tokë bujqësore e që, në bazë të analizës që kemi bërë bashkë edhe me Komunën, del që prodhimtaria bujqësore prej vitit të ardhshëm, do të trefishohet në kuadër të kulturës bujqësore. Pra, me një investim kapital që është më i rëndësishmi që pas luftës në Kosovë, ne po mundësojmë futjen e 570 hektarë e të ri nën ujitje”, tha, ndër tjera, Peci.

Ndryshe, ministri i BPZhR-së, Faton Peci, vitin e kaluar ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me shtatë komuna të Republikës së Kosovës për investime në sistemet e ujitjes, prej të cilave edhe Komuna e Kamenicës është përfituese nga buxheti prej 2.42 milionë euro i destinuar për investime në sistemin e ujitjes.


MË SHUME NGA Kosovë