Instituti i Mediave e Rotarianët shënuan Ditën e Lirisë së Shprehjes
BKT
Kosovë

Instituti i Mediave e Rotarianët shënuan Ditën e Lirisë së Shprehjes

Fazli Veliu/ RTK

Me rastin e ditës ndërkombëtare të Lirisë së Shprehjes, në Viti u mbajt  tryeza me temën: “Liria e shprehjes si shtytëse për të gjitha të drejtat e tjera të njeriut” , të organizuar nga Këshilli i Rotarianëve të Kosovës, Klubi i Rotarianëve-Vitia, si dhe Instituti i Mediave të Kosovës, në të cilën morën pjesë ambasadori  britanik në Kosovë, Nicholas L. Abbott, kryetari i KRKK-së, Ismajl Baftjari, kryetari i Institutit  të Medias Kosovë, Fazli Veliu.

Në fillim të takimit, kryetari i KRKK-së,Ismajl Baftjari, pasi përshëndeti mysafirët, vlerësoi lart punën e gazetarëve  për informimin e qytetarëve të Kosovës, derisa theksoi se një numër i madh i gazetarëve iu kanë bashkuar klubeve rotariane të Kosovës dhe Shqipërisë.

Ai, më tej shtoi se liria e shprehjes është shtyllë e demokracisë së një shteti .

Ambasadori  i Britanisë në Kosovë,  Nicholas L. Abbott,  theksoi se liria e shtypit është thelbësore, nëse duam të mbrojmë të drejtat tona themelore dhe të kërkojmë llogari nga qeveritë. Ai, siç e bëri të qartë, në renditjen e sotme botërore për lirinë e shtypit, Kosova vazhdon të ecë në drejtimin e duhur. “Por siç diskutuam, sfidat mbeten, përfshirë dhunën fizike ndaj gazetarëve që rrezikon të normalizohet nga qëndrimet dhe sjellja e njerëzve në internet”, deklaroi ambasadori britanik Nicholas L.Abbott.

Në  tryezën e diskutimeve, kryetari i Institutit të Medieve   të  Kosovës,  Fazli Veliu, vuri në pah disa nga sfidat që gazetarët  në Kosovë ballafaqohen. Ai më tej deklaroi se vetëm në vitin 2022 kemi 33 gazetarë janë sulmuar në forma të ndryshme, ndërkohë që, sikundër theksoi ai, problem edhe më tej mbeten kërcënimet e vazhdueshme që po u bëhet gazetarëve në Kosovë.

Kryetari Veliu iu bën thirrje institucioneve të vendit që gazetarëve t’u lejohet kryerja e misionit të tyre, në mënyrë të pavarur, derisa nga gazetarët  kërkoi që të mos shpërndajnë lajme të paverifikuara në mediet e tyre, si dhe të marrin lajme nga  portalet “famoze”,  për të cilat nuk dihet se kush qëndrojnë prapa tyre.  

Ndërkaq, Sylejman Kllokoqi, fotoreporter i shumë medieve ndërkombëtare, foli për sfidat që ka pasur për të informuar publikun, teksa para të pranishmëve  ndau momentet e fundit që kishte me ish- gazetarin  britanik, Kerem Lawton,i cili ishte vrarë gjatë punës së tij në Kosovë. 

Profesori i Gazetarisë, Behar Zogiani ,foli për sfidat që kanë pasur mediet dhe gazetarët gjatë periudhave të mëhershme, si dhe ato të tanishme, duke thënë se teknologjia në ditët e sotme e ka bërë më të lehtë raportimin nga terreni.


MË SHUME NGA Kosovë