Blakaj: Deklarata për të pagjeturit, s’i referohet krimeve të luftës
BKT
Foto: RTKlive
Kosovë

Blakaj: Deklarata për të pagjeturit, s’i referohet krimeve të luftës

REL

Deklarata për Personat e Zhdukur, e cila u miratua më 2 maj nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si pjesë e një dialogu të nivelit të lartë politik, sjell shpresë të re sepse palët janë zotuar të lejojnë qasjen në të gjitha dokumentet në posedim të tyre, përfshirë ato të shënuara si `konfidenciale`.

Në tekstin e Deklaratës nuk përmendet konkretisht hapja e arkivave ushtarake apo policore.

Por  Bekim Blakaj thekson se ekziston fjala “dokumente konfidenciale” dhe shpreh besimin se dokumente të tilla do të zgjidhin një numër të madh të rasteve të personave të zhdukur.

“Nuk besoj se palët do ta vënë kaq lehtë dokumentacionin në dispozicion, por ka ende shpresë sepse zbatimi do të mbikëqyret nga Komuniteti Evropian ose Bashkimi Evropian. Nëse vlerësojnë se palët nuk e zbatojnë marrëveshjen, mund të përballen me sanksione”, vlerëson ai në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.

Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare thekson se është e rëndësishme që opinioni të kuptojë se Deklarata për Personat e Zhdukur në asnjë mënyrë nuk u referohet krimeve të luftës.

“Me këtë Deklaratë nuk mund të lidhim gjëra të tjera, si përpunimi i krimeve të luftës, reparacionet e kështu me radhë”, thotë Blakaj.

Gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999 rreth 13.000 njerëz nga të gjitha bashkësitë etnike u vranë, mbi 800.000 u zhvendosën dhe rreth 1.600 janë të zhdukur.

Qindra trupa të shqiptarëve të vrarë të Kosovës janë gjetur në varreza masive në Serbi. Deri më tani nga Serbia në Kosovë janë kthyer rreth 1.000 mbetje mortore.

(Marrë me shkurtime nga REL)


MË SHUME NGA Kosovë