Haradinaj: Siguri kemi vetëm kur jemi anëtare e NATO-s
RTKlive
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka marrë pjesë në akademinë përkujtimore e organizuar nga OVL UÇK në Pejë për nder të Ditës së Dëshmorëve të Kombit.
Haradinaj ka thënë se qëllimet e armikut kanë qenë shumë të këqija për Pejën. Ai shtoi se pamja e parë e Pejës menjëherë pas luftës ka qenë vërtetë e trishtueshme.
“Lufta e UÇK-së e sjelli lirinë dhe i dha përjetësinë shumë njerëzve, i dha përjetësinë të dashurve tanë. Peja ka shumë dëshmorë, martirë por edhe të pagjetur ende, por nga lufta doli edhe e rrënuar krejtësisht. Ju e dini se pamja e parë e Pejës menjëherë pas luftës ka qenë vërtetë e trishtueshme”, është shprehur Haradinaj.
I pari i AAK-së ka thënë se ne mund të jemi plotësisht të sigurt vetëm atëherë kur Kosova është anëtare e NATO-së.
“Sot jemi të gjithë bashkë, në Kosovën e lirë, në Republikën tonë, me Polici, Ushtri, shkolla, me institucione por edhe në aleancë me NATO dhe me Amerikën, një aleancë shumë e çmuar ...”, ka thënë Haradinaj.
“Dokumenti franko-gjerman e që në fakt është amerikan, na duhet neve sepse kemi nevojë me nis procesin për anëtarësim në NATO, sepse sot siguria është gjëja më e rëndësishme në botë. Ne mund të themi se jemi plotësisht të sigurt vetëm atëherë kur jemi anëtare e NATO-së. Është e pamundur me konfirmu se jemi të sigurt pa qenë anëtare të NATO-së. Edhe shtetet më të fuqishme në botë janë anëtare të NATO-së sepse kjo bëhet për mbrojtje të përbashkët”, ka thënë Haradinaj.
Sipas Haradinajt, Asociacioni duhet ti nënshtrohet një shqyrtimi nga Gjykata Kushtetuese dhe të sillet në Kuvendin e Republikës.
“Ne duhet ti themi botës se kemi marrë obligime siç është Asociacioni, por ky i fundit së pari duhet me kalu në Gjykatën Kushtëtuese e cila e vlerëson nëse është ose jo kushtetues”, ka thënë postjerash ai.
Haradinaj ka bërë thirrje për bashkimin e forcave politike në lidhje me temat e rëndësishme për vendin, sepse kësisoj rritet mundësia për ecje para.























